Meta: Shpopullimi, drama më e madhe e vendit

Kuvendi është në prag të nisjes së procedurës për zgjedhjen e një presidenti të ri. Atë në ikje, Ilir Metën e pret rikthimi në politikën aktive, siç vetë e ka paralajmëruar. Si president i Republikës vazhdon takimet me kategori të ndryshme sociale, ndërsa shpesh gjatë mandatit tëri presidencial e ka mbajtur fokusin te drama e shpopullimit. Për këtë foli dhe gjatë këtij takimi me të rinjtë.

Marketing

“Shpopullimi i Shqipërisë është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Ndaj dhe e pranova ftesën tuaj për të bashkëbiseduar mbi këtë fenomen alarmues, në përmasa tepër shqetësuese dhe të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër”, u shpreh Meta.
Ata që po ikin janë profesionistët, tha presidenti, duke e mbështetur me shifra shqetësimin e tij, referuar të paktën në një fushë si shëndetësia.

“Kemi largim masiv të mjekëve, infermierëve dhe personelit shëndetësor edhe pse kemi kaq shumë nevojë, duke qenë se jemi vendi, me numrin më të ulët të mjekëve për banorë, sipas OBSH-së, me 16.47 mjekë për 10 mijë banorë, kur mesatarja e Evropës është 47.6 mjekë për 10 mijë banorë”, vijoi Presidenti.

Meta ftoi të rinjtë që të reflektojnë dhe të jenë lokomotiva e ndryshimit, po pa sugjeruar se cili do të jetë treni i saj.

“Të gjitha këto të dhëna të bazuara në studime tepër serioze dhe të pavarura, na ftojnë për një reflektim të thellë. Të rinjtë e kanë të ardhmen përpara, ndaj duhet të jenë lokomotiva të ndryshimit, të gjithëpërfshirjes, dhe të një mirëqeverisje”, u shpreh kreu i shtetit.

Kreu i shtetit deklaroi se një qeverisje e mirë do të rikthente në vend të larguarit, ndërsa ftoi të rinjtë që të bëjnë të gjitha përpjekjet e tyre për të përmirësuar situatën.