Studentët e FTUU-së të Universitetit të Tetovës realizuan vizitë studimore në fabrikat e njohura për prodhimin e lëngjeve dhe ujërave në Republikën e Kosovës
Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të udhëhequr nga profesorët e tyre, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, Prof. Dr. Namik Durmishi dhe Prof. Dr. Gafur Xhabiri, më 29 mars 2022, realizuan një vizitë studimore në ndërmarrjet e njohura për prodhimin e lëngjeve dhe të ujit në Republikën e Kosovës. Sipas profesorëve të FTUU-së, vizitat e kësaj natyre kryhen me qëllim që studentët të njihen më për së afërmi me procesin praktik të prodhimit teknologjik.
Ata thonë se krahas pjesës teorike që studentët e zhvillojnë gjatë procesit mësimor – shkencor, puna praktike ka rolin e saj të rëndësishëm në plotësimin e njohurive të nevojshme për studentët tanë.
Me këtë qëllim, profesorët dhe studentët e FTUU-së kryen një vizitë me karakter pune në qytetin e Gjilanit, në fabrikën për prodhimin e lëngjeve natyrale “MOEA- Frutomania” dhe fabrikën për përpunimin dhe prodhimin e ujit pa gaz dhe të gazuar ”DEA”.
Pronarët dhe punonjësit e këtyre sipërmarrjeve, z. Qëndrim Ramadani dhe z. Jeton Hoxha, për studentët e UT-së shpjeguan ecurinë e punës dhe procesin e përgjithshëm të prodhimit të lëngjeve dhe ujit i cili në fabrikat e sipërthëna kryhej në kushte moderne si rezultat i investimit në sistemin tekniko –teknologjik. Gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës, mësimin teorik që e kanë përfituar në kuadër të lëndës Teknologjia e prodhimit të pijeve joalkoolike dhe freskuese, studentët e UT-së patën mundësi ta shohin se si i njëjti realizohet me sukses edhe praktikisht.