Besimtarët e vendeve të rajonit falin namazin e parë të teravisë

Shkup/Prishtinë/Tiranë
Në xhamitë në rajonin e Ballkanit, besimtarët muslimanë kanë falur namazin e parë të teravisë duke mbushur xhamitë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Gjatë Ramazaneve në dy vitet e kaluara, në vendet e rajonit pothuajse vazhdimisht ishin në fuqi masa të ndryshme të kufizime shkaku i pandemisë së koronavirusit, duke pamundësuar faljen e namazit të teravisë që në fillim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Në Shkup besimtarë të shumtë falen jashtë xhamisë, përkundër motit me shi

Në Maqedoninë e Veriut është falur namazi i parë i taravisë për këtë Muaj të Ramazanit. Muslimanët mbushën xhamitë për taravinë e parë anembanë vendit.

Xhamia historike e Mustafa Pashës në kryeqytetin Shkup ishte gjithashtu e mbushur me muslimanë që erdhën për të falur namazin e parë të teravisë së këtij viti. Shkaku i numrit të madh të besimtarëve, disa prej tyre u falën edhe jashtë xhamisë, përkundër motit me shi.

Në Maqedoninë e Veriut ky është Ramazani i parë pas dy vitesh i cili fillon pa kufizime të grumbullimeve shkaku i pandemisë së koronavirusit, duke mundësuar kështu faljen e namazit të teravisë që në fillim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Vitin e kaluar, Ramazani filloi nën ndikimin e masave mbrojtëse, por që u lehtësuan nga fundi i muajit.

Lutje për paqe midis njerëzve

Besimtarët muslimanë kanë falur namazin e teravisë së parë të Muajit të Ramazanit në të gjitha xhamitë e Kosovës.

Qindra besimtarë sonte u mblodhën edhe në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fatih”, e cila u mbush e tëra.

Që nga përhapja e pandemisë së COVID-19, ky Ramazan i gjen besimtarët muslimanë në Kosovë me masa më të lehta për menaxhimin e pandemisë së COVID-19, gjithashtu edhe pa orë policore.

Sot, kreu i Bashkësisë Islame i Kosovës (BIK), Naim Tërnava, në mesazhin urues për këtë muaj, tha se gjithashtu ky Ramazan erdhi në kohë lufte, teksa bëri lutje që të ketë paqe, dashuri e mirëkuptim, midis njerëzve.

Shqipëria pa orë policore dhe kufizime për grumbullime

Besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e parë të teravisë në prag të fillimit të muajit të Ramazanit.

Dhjetëra besimtarë janë mbledhur për namazin e teravisë në Xhaminë Et’hem Beu në Tiranë, duke kryer së bashku ritet fetare.

Namazi i teravisë është falur edhe në xhamitë e tjera të vendit me pjesëmarrjen e shumtë të besimtarëve.

Muaj i Ramazanit këtë vit vjen nën masa më të lehta të pandemisë, pasi në Shqipëri që prej fillimit të muajt mars të këtij viti është hequr edhe ora policore.

Gjithashtu është hequr edhe kufizimi për numrin e personave në aktivitete dhe grumbullime të ndryshime.