Kjo është Bashkësia e parë fetare në Kosovë që del pro martesave të seksit të njëjtë

Pas një Kuvendi Zgjedhor të mbajtur të shtunën nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK), kjo bashkësi fetari doli me një deklaratë kundër homofobisë. Në këtë kuvend u votua statuti i plotësuar i BTK, disa rregullore të reja dhe u zgjodhën funksionarë të ri.

Marketing

“Bashkësia e Tarikateve e përkrah shtetin e Kosovës në realizimin e sigurisë, mirëqenies dhe realizimin e një shoqërie të hapur për vlerat njerëzore. Bashkësia e Tarikateve do ti mbështet institucionet e Kosovës në ndërtimin e shtetit juridik i cili i realizon vlerat e përmendura e kundër korrupsionit, neglizhencës, keq menaxhimit, jo barazisë, përjashtimit dhe jo transparencës në shoqëri” thuhet në deklaratën e publikuar në profilin zyrtar të BTK në Facebook.

E veçanta e kësaj deklarate qëndron në zotimin se kjo bashkësi do të punojë me institucionet e vendit në luftimin e homofobisë dhe mizogjinisë.

“Bashkësia e Tarikateve në veçanti dëshiron të punon s’bashku me institucionet e Kosovës në ndërtimin e një shoqërie pa paragjykime të cilat i njohim si racizmi, urrejtja etnike, homofobia, mizogjinia, islamofobia, sufifobia dhe forma tjera përjashtuese që prishin mirëbesimin në shoqëri” u tha ndër të tjera në deklaratë.

Kjo deklaratë e publikuar të dielën me 24 prill, shënon deklaratën e parë të ndonjë bashkësie fetare në Kosovë, e cila njeh publikisht homofobinë, racizmin, dhe mizogjininë si probleme të shoqërisë kosovare, dhe e cila ofron gatishmëri në luftimin e tyre, shkruan web-faqja “Dylberizm”.

Dy muaj më parë, bashkësitë fetare, përkatësisht prijësit fetarë të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kishës Protestante Ungjillore, Dioqezës Prizen-Prishtinë (Kisha Katolike) dhe Bashkësisë Hebraike të Kosovës, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët kundër martesave mes seksit të njëjtë, në mes të diskursit publik mbi miratimin e Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës, i cili parashihte rregullimin e bashkësive civile për çiftet e seksit të njëjtë.

Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK) është bashkësia fetare e dytë me madhësi në vend, dhe i përfshinë në veti tarikate (komunitetet e dervishëve) në Kosovë dhe diasporë.

“Dylberizm” e ka përshëndetur mesazhin e BTK-së ndaj institucioneve të Kosovës, duke uruar që ky të jetë një shembull i cili do të ndiqet edhe nga bashkësitë e tjera fetare në Kosovë.