Ngërçi politik në Tetovë do të zgjidhet përmes zgjedhjeve të reja

Nuk ka zgjidhje tjetër dhe këshilli komunal i Tetovës duhet të shkon në rizgjedhje, potencoi kreu i kësaj komune Bilall Kasami. Ai tha se gjatë ditës ka njoftuar Ministrinë e Pushtetit Lokal për gjendjen faktike në këshill dhe dështimin për të miratuar llogarinë përfundimtare.

Marketing

“Pas konstatimit të kësaj situate neve nuk kemi më hapësirë veprimi. Janë institucionet përkatëse të cilat duhet të sjellin vendim dhe të na japin orientimet e mëtejme”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Tetovës.

Kasami thotë se nuk është i interesuar për zgjedhje, por derisa ato imponohen nuk mund t’i shmanget

“Qytetarët janë të lodhur nga zgjedhjet e parakohshme, veçanërisht tetovarët. Por në këtë rast, nëse dikush dëshiron të bën politikë aty ku nuk duhet bërë duke refuzuar llogarinë përfundimtare, çdokush duhet mbaj përgjegjësi në kuadër të përgjegjësive që i ka marrë si këshilltarë”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i Tetovës.

Sipas Ligjit për Pushtetin Lokal njëra ndër arsyet kryesore për të cilat shkarkohet këshilli komunal është pikërisht mos miratimi i llogarisë përfundimtare. Një veprim i tillë sipas Kasamit deri më 31 mars nuk është bërë për shkak se nuk ishte pranuar si pikë e rendit të ditës nga këshilltarët. Vetëqeverisja lokale obligohet që në afat prej 7 ditëve ta njoftojë Qeverinë, ndërsa organi ekzekutiv duhet të vendos për zgjedhje të reja. Më pas Kuvendi duhet të shpall datën se kur këshilli komunal i Tetovës shkon në zgjedhje. /Alsat