Futbollisti spanjoll, Santi Mina, u dënua të mërkurën me 4 vite burg pasi u shpall fajtor për abuzim seksual. 26-vjeçari, i cili luan si sulmues me Celta Vigo-n, e ka apeluar vendimin.
Ai u shpall i pafajshëm për akuzën tjetër, atë të agresionit seksual, që lidhet me intimidimin dhe dhunën kundër viktimës.
Klubi i Celta-s, që luan në kategorinë e parë spanjolle, deklaroi menjëherë se e kishte larguar përkohësisht lojtarin nga skuadra, derisa të përfundojë procesi në apel. Gjithashtu, klubi hapi një proces disiplinor ndaj lojtarit, për masat administrative që mund të marrë.
Prokurori kishte kërkuar 8 vite burg për Mina-n, ndërsa avokati i viktimës 9 vite e gjysmë. Një tjetër lojtar, David Goldar, i cili luante për klubin e kategorive të ulëta, Ibiza, u shpall i pafajshëm, pasi ishte akuzuar fillimisht si bashkëpunëtor.
Në gjyq, Mina dhe Goldar deklaruan se gruaja që i akuzonte kishte rënë dakord që të kryenin marrëdhënie seksuale. Por viktima deklaroi se ajo ishte përdhunuar në një rulot në vitin 2017 nga Mina, ku kishte shkuar fillimisht me dëshirën e saj me Goldar. Avokati i saj pretendonte se Goldar nuk bëri asgjë për të ndaluar shokun e tij të kryente aktin.
Në kohën e ngjarjes, Mina luante për një tjetër klub të madh spanjoll, Valencia. Në vitin 2019 ai u rikthye te skuadra ku nisi karrierën, Celta Vigo.