Në Sofje të Bullgarisë ministrat e vendeve të rajonit diskutuan për sigurinë energjetike, nevoja për një përgjigje urgjente ndaj ndërprerjes së furnizimit me energji si pasojë e krizës në Ukrainë, dekarbonizimi dhe tranzicioni i gjelbër si dhe krijimi i platformës së parë rajonale të BE-së për furnizimin me gaz. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka thënë se kriza në Ukrainë po shkakton dëme të mëdha ndaj të gjithëve dhe se rajoni duhet ti lejë me një anë çështjet historike dhe të merren vendime në interes të të gjithëve.
“Maqedonia e Veriut është shtet i vogël në Ballkan, por ne jemi të përfshirë në të gjitha iniciativat rajonale për të siguruar furnizimin me gaz, por edhe diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji. Të gjithë jemi përballur me vendime të vështira në këtë kohë të vështirë, por kohët e vështira sjellin përparim. Rajoni prodhon shumë pyetje historike dhe është e nevojshme që në këto kohë të vështira të tërhiqet historia mënjanë. U bëj thirrje të gjithëve për solidaritet që bashkërisht të gjejmë zgjidhje që do të jenë në interes të të gjitha vendeve.”,– ka thënë ministri Bekteshi.
Ai njëherit ka shprehur falënderim për mbështetjen e Bashkimit Evropian në reformat e sektorit energjetik në Maqedoninë e Veriut me qëllim të ndërtimit të interkonektorëve të rinj dhe lidhjes më të madhe të rrjetit jo vetëm në rajon por edhe në Evropë. Në takimin Ministror për energjinë në Sofje u formua platforma e re rajonale e BE-së për furnizimin me gaz në të cilën përfshihen edhe vendet nga Ballkani Perëndimor. Platforma e re rajonale në kuadër të Platformës Gjithëpërfshirëse të BE-së synon të adresojë nevojat rajonale të gazit dhe energjisë, infrastrukturën, çmimet dhe të reduktojë varësinë nga burimet ruse të energjisë.
https://www.facebook.com/MinisterKreshnikBekteshi/videos/1411958065919952