Kovaçevski: Edhe 100 milionë euro harxhime joproduktive do të shkurtohen nga Buxheti

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sonte bëri me dije se nga buxheti do të shkurtohen edhe 100 milionë euro shtesë harxhime joproduktive.

Marketing

“Në këtë moment punojmë në ribalancin e Buxhetit. Kanë përfunduar harxhimet dhe do të ketë shkurtime prej 100 milionë euro shtesë harxhime joproduktive”, tha Kovaçevski në Ditarin qendror të televizionit “Sitel”.

Ai shtoi se këto janë shkurtime shtesë të shkurtimit tanimë të paralajmëruar të harxhimeve vijuese prej tetë për qind dhe masa shtesë për kufizimin e harxhimeve për reprezentim dhe udhëtime.

“Deri në fund të majit duhet të përfundojë ribalanci i Buxhetit dhe të vendoset në procedurë të Kuvendit. Në këtë moment shqyrtohen opsionet për mbulimin e deficitit, pasi rritet edhe çmimi i kapitalit”, tha Kovaçevski, duke shtuar se po shqyrtohen të gjitha opsionet dhe po realizohen biseda me qëllim të sigurimit të mjeteve me çmim të ulët të kapitalit.

Lidhur me negociatat me Sindikatat për arsim, shkencë dhe kulturë dhe kërkesat e tyre, Kovaçevski ka shprehur bindje se procesi i bisedave do të japë rezultat dhe se do të gjendet metodologji për rritje të vazhdueshme të pagave, por edhe për rritje të produktivitetit.

“Besoj se procesi i bisedave me SASHK-un do të japë zgjidhje, se do të kemi rritje të pagave të arsimtarëve dhe metodologj që do të mundësojë rritje të pagave në të ardhmen. Por jo rritje të thjeshtë, por rritje të ndjekur me rritje të efikasitetit dhe produktivitetit”, tha Kovaçevski.