Profesorët dhe studentët e FTUU-së të Universitetit të Tetovës e përmbyllën me sukses vizitën studimore në Shqipëri

Studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës, bashkë me stafin e pedagogëve të udhëhequr nga Prof. Dr. Xhezair Idrizi, prej 10 -12 maj 2022, realizuan një vizitë me karakter studimor në Republikën e Shqipërisë.
Në kuadër të kësaj vizite studentët dhe profesorët e FTUU-së zhvilluan edhe disa takime zyrtare me drejtues fakultetesh dhe pronarë kompanish të njohura që merren kryesisht me prodhimin e miellit dhe produkteve të miellit si dhe kompani për prodhimin e lëngjeve.
Takimi i parë u realizua me Prof. Dr. Kapllan Sulajn, dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Në këtë takim pune, përpos Prof. Dr. Xhezair Idrizit nga FTUU-ja ishin të pranishëm edhe: Prof. Dr. Gafur Xhabiri, Prof. Dr. Ismail Ferati, Prof. Dr. Namik Durmishi, Mr.Sc. Hava Miftari, Mr.Sc. Durim Alija dhe punonjësit e administratës së këtij fakulteti.
Analiza e rezultateve të arritura arsimore – shkencore nga marrëveshjet dhe memorandumet në fuqi mes dy fakulteteve dhe mundësia e ripërtëritjes së tyre në funksion të vijimit të bashkëpunimit edhe në të ardhmen – u diskutua në këtë takim pune.
Ideja për fuqizimin e bashkëpunimit u përshëndet nga përfaqësuesit e dy njësive akademike dhe u konstatua se vetëm përmes forcimit të marrëdhënieve institucionale, universitetet mund të pretendojnë të arrijnë zhvillim dhe përparim në shumë sektorë me theks të veçantë edhe në lëmin e bioteknologjisë dhe ushqimit.
Një tjetër takim i rëndësishëm që kishte në fokus intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional u zhvillua edhe nga departamenti Teknologjisë Ushqimore i Universitetit “Qiriazi” –Tiranë. Studentët dhe profesorët tanë në këtë departament u pritën nga shefi i këtij dikasteri, Prof. Dr. Abdyl Sinani.
Në agjendën e vizitës së pedagogëve dhe studentëve të FTUU-së ishte edhe vizita në Qendrën e Kërkimit të Ushqimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në fabrikën për prodhimin e miellit dhe produkteve të miellit “Atlas”- Tiranë dhe në Birrarinë “Stela &Co” në Tiranë.
Sipas drejtuesve të FTUU-së të Universitetit të Tetovës vizita e lartpërmendur u realizua me sukses sepse gjatë qëndrimit treditor në Shqipëri, profesorët tanë shkëmbyen ide, mendime për realizimin e projekteve të përbashkëta shkencore në të ardhmen, ndërkaq studentët përfituan njohuri për prodhimin teknologjik bashkëkohor të produkteve të miellit dhe të lëngjeve.

Marketing

Marketing