Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar se do të protestojnë kundër vendimit ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, por se këtë do ta bëjë vetëm nëse merr leje nga po këta dy.
“Unë pres nga kjo prokurori që t’i m’i sjell CD-të dhe unë prapë ia qes në media. S’e njohim këtë gjykatë dhe se kemi njohur asnjëherë. Kjo gjykatë s’i ndjek krimet e luftës, por shqiptarët. Fatkeqësi që deputetët e Kosovës miratojnë gjykatë politike, edhe tash deputetët që janë nuk marrin masa ndaj kësaj pseudo gjykate”.
“Nëse shokët tonë që janë atje thonë se duhet të protestojmë, ne do të protestojmë edhe para Kuvendit”.
Klinaku tha se e kanë pritur që të merret ky vendim meqë Gjykatën Speciale e shohin si gjykatë politike dhe gjykatësit si shantazhues.
Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale, shkruan Reporteri.net.
Që të dy janë shpallur të pafajshëm për pikën 4, atë të hakmarrjes.
Sipas trupit gjykues, Gucati e Haradinaj qëllimshëm kishin zbuluar informacionet e mbrojtura dhe rrezikuan dëshmitarët. Është konstatuar edhe pengesa e zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.
Paraqitjet e para të Haradinajt dhe Gucatit si të dyshuar u mbajtën para Gjykatësit të Vetëm, Nikola Giju, përkatësisht më 29 shtator dhe 1 tetor 2020.