Romani “Eskadronët e vdekjes” është një dokument artistik që
letrarizon një realitet të mbartur me kontradikta midis aspirates së
lirisë dhe pasionit morbid të pushtimit….Të ndodhur në mes të këtyre
dy linjave narrative, personazhet e këtij romani përmes luftës së së
tyre të brendshme shpirterore e etike, projektojnë një botë të jashtme
e cila nuk është krejt bardh e zi, sepse këtë na e mundëson ndërthurja
mjeshtrore e realietit praktik dhe atij fiktiv…
Autori Bardhyl Mahmtu nuk ka ardhë krejt rastësisht te saga e tij
letrare, pasi që atë e ka ngritur mbi një përvojë të pasur hulumtimesh
jo vetëm të natyrës njerëzore, por edhe të anatomisë së një kohe që
prodhoi kaq shumë tragjedi për një popull, siç ishin shqipatarët….
Nga ky roman dalin shumë mesazhe, por kryemesazhi rreth të cilit
sillet arkitektura letrare është se krimi shtetëror serb ndaj
shqiptarëve kishte arritur të bëjë bashkë kundërshtar nga të dy
etnitë, ku shqiptarët me stoicizmin e tyre arrijnë të bëhen object
frymëzimi edhe për pjesën tjetër të serbëve që kishte aversion ndaj
erës së gjakut, dhe ndaj krimeve që kryenin bashkëkombasit e tyre….
Si i tillë Romani “Eskadronët e vdekjes” rezulton të jetë një
dokument artistik që projekton letrarisht anatominë e natyrës së
dyzuar të njeriut në kohë e hapësira të njejta por edhe të ndryshme.
Një roman i shkëqyer mbi solidaritetin njerëzor por edhe përmendore e
triumfit të mires ndaj të keqes, të paqës ndaj luftës….
Historikja, realja, mitika vijnë të shtresuara në laboratorin krijues
të autorit dhe lexuesi nuk do ta hetojë se fundi i romanit sjell edhe
befasitë që vetëm një mjeshtër i rrëfimit mund t’i kontekstualizojë në
varshmëri me pozicionet morale, etike e njerëzore të personazheve….
Shkup, 18 maj 2022
Prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH