Vendet perëndimore kanë shkaktuar një krizë globale ushqimore duke vendosur sanksionet më të rënda në historinë moderne ndaj Rusisë, ka pohuar Kremlini.
“Rusia ka qenë gjithmonë një eksportuese mjaft e besueshme e grurit,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Ne nuk jemi burimi i problemit. Burimi i problemit që çon në urinë botërore janë ata që vendosën sanksione kundër nesh dhe vetë sanksionet.”
Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë gati një të tretën e furnizimeve globale të grurit.
Ukraina është gjithashtu një eksportues i madh i misrit, elbit dhe vajit të lulediellit, ndërsa Rusia dhe Bjellorusia – e cila ka mbështetur Moskën në luftë dhe është gjithashtu nën sanksione – përbëjnë mbi 40% të eksporteve globale të lëndës ushqyese potas.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se 36 vende mbështeten tek Rusia dhe Ukraina për më shumë se gjysmën e importeve të grurit, duke përfshirë disa vende të varfra si Libani, Siria, Jemeni, Somalia dhe Republika Demokratike e Kongos.
Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se ai ishte në kontakt intensiv me Rusinë, Ukrainën, Turqinë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian në një përpjekje për të rivendosur eksportet e drithërave nga Ukraina, ndërsa kriza globale e ushqimit po përkeqësohet.
Presidenti rus Vladimir Putin, tha se Kremlini, gjithashtu u pajtua me vlerësimin e Kombeve të Bashkuara se bota u përball me një krizë ushqimore që mund të shkaktonte zi buke.