Ja kur fillon rritja e rrogës prej 15% për mësimdhënësit

Nga shtatori do të ketë paga më të larta për 15 për qind për të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm, sipas marrëveshjes me Sindikatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK). Kjo është paraparë në ribalancin e buxhetit, i cili duhet të miratohet në Kuvend, deklaroi sot ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri.

Marketing

“Ne nënshkruam një marrëveshje me SASHK-un që doli nga procesi i pajtimit. Presim që të kalojë ribalanci i buxhetit për të përgatitur informacion në Qeveri, për të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare për 15 për qind. Pra, negociatat kanë një marrëveshje të nënshkruar, të gjitha çështjet janë dakorduar me SASHK-un dhe jemi në pritje të ribalancit. Pres që të kalojë dhe çdo gjë të jetë mirë që nga shtatori të ketë paga më të larta në arsimin fillor dhe të mesëm”, tha Shaqiri, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në trajnimin për ndihmën e parë për nxënësit në kuadër të fushatës së Kryqit të Kuq “Ndihma e parë shpëton jetë”.

Marrëveshjen përfundimtare për rritjen e pagave prej 15 për qind për të punësuarit në institucionet arsimore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe SASHK e kanë arritur më 17 maj me ndërmjetësimin e pajtuesit dhe pas 12 ditëve ndërprerje të mësimit për shkak të grevës së përgjithshme në shkolla nga data 11 deri më 28 prill.

Përfaqësuesit e të dyja palëve në marrëveshje ranë dakord që nga shtatori i këtij viti të rriten pagat e punonjësve të shkollave fillore dhe të mesme për 15 për qind duke filluar nga shtatori i këtij viti. MASH dhe SASHK harmonizuan edhe qëndrimet për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe një metodologji të re që do të sigurojë rritje të përhershme të pagave në arsim.