Osmani- Çaushogllu: Miqësia mes qytetarëve, shtyllë e marrëdhënieve të ngushta

Në kuadër të vizitës zyrtare në Ankara, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, realizoi takim me Mustafa Shentop, Kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë.

Marketing

Osmani dhe Shentop i konfirmuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore mes dy vendeve. Bashkërisht e theksuan rëndësinë e rolit të grupeve parlamentare për bashkëpunim, si dhe kontributin e mbi 100 Marrëveshjeve bilaterale, në thellimin e bashkëpunimit shumësektorial, rezultat i veçantë i të cilës është rritja e shkëmbimit ekonomik dhe tregtar.

“Miqësia mes qytetarëve të dy vendeve dhe diasporës sonë në Turqi është ura jonë që na bashkon. Komuniteti etnik turk ka një kontribut të veçantë në zhvillimin politik, kulturor dhe ekonomik të Maqedonisë së Veriut, si pjesë e modelit tonë unik të demokracisë funksionale multietnike”, tha Ministri Osmani.

Osmani u takua edhe me ish-Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hikmet Çetin, të cilit i ndau mirënjohje speciale me rastin e 30 vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Çetin ishte Ministër i Punëve të Jashtme në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme nga historia jonë më e re politike – në periudhën e pavarësisë sonë. Turqia ka qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë tonë.

Gjatë qëndrimit në Ankara, ministri Osmani vendosi kurorë me lule në Mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut, duke nderuar burrështetasin e madh dhe themeluesin e Republikës moderne të Turqisë.