Lehtësimi i masave për udhëtim ka bërë që qytetarët tashmë të rezervojnë për udhëtime jashtë vendit për pushimet verore. Pandemia Covid 19 goditi shumë sektorë, kurse njërin që më shumë pësoi humbje ishte edhe sektori i operatorëve turistik, respektivisht agjencitë turistike, të cilët organizojnë udhëtime jashtë vendit. Pas dy vitesh, kur kishte shumë probleme për të udhëtuar, qoftë me marrjen e vaksinës apo testit, tashmë këto barriera janë tejkaluar dhe qytetarët mund të rezervojnë udhëtimet e tyre për destinacionet e preferuara për të kaluar pushimet. Nga Agjencia turistike “Euro Turist” në Tetovë thonë se Turqia mbetet vendi më i preferuar i banorëve të Tetovës dhe rrethinës, edhe për shkak të çmimeve më të volitshme.
“Si destinacion më i preferuar si çdo vit mbetet Turqia, rajoni i Antalisë, kurse këtë vit kemi fluturime edhe për Bodrum. Po ashtu mund të them se ka interesim edhe për në Shqipëri, Mal të Zi, Bullgari, Greqi dhe Kroaci. Rezervime kemi më shumë për në Turqi, për rajonin e Antalisë, për shkak të çmimeve, sepse janë më të volitshëm. Është paketë, ku përfshihen biletat e aeroplanit, hoteli, transporti pra të gjithë…”, tha Albana Bislimi nga “Euro Turist”. Përfaqësues të agjencive turistike në Tetovë thonë për gazetën Koha se rritja e çmimeve në bregdetin shqiptar ka bërë që interesimi më i madh të jetë për në Turqi.
“Këtë vit kemi më pak kërkesa për në bregdetin shqiptar, për shkak të rritjes së çmimeve, në krahasim me Turqinë, ku çmimet janë më të kapshme. Ka rritje të çmimeve dhe kriza ka ndikuar atje. Për në Turqi, ende nuk kemi paralajmërim për rritje të çmimeve. Një familje katëranëtarëshe, ofertat nëpër hotele ku përfshihen, transporti deri në aeroport, bileta e udhëtimit, fjetja, ushqimi, sillet prej 1000 euro e më lartë, varësisht ofertës”, njoftojnë nga “Euro Turist” në Tetovë. Në prag të fillimit të pushimeve verore, me lehtësimin e kushteve për udhëtim në shumë vende të rajonit dhe më gjerë, është rritur interesimi për të rezervuar pushime në destinacione të ndryshme. Si destinacionet më të preferuara dhe më të kërkuara në agjencitë turistike nga ana e qytetarëve të Tetovës, ashtu edhe sikurse vitet e kaluara, edhe këtë vit mbeten bregdeti shqiptar, bregdeti i Turqisë dhe ai i Malit të Zi. Edhe agjencitë turistike tashmë kanë filluar me promovimin e destinacioneve të ndryshme turistike nga ato më luksozet e deri tek ato më të thjeshtat dhe më të lirat. (koha.mk)