Universiteti i Tetovës, sot i filloi punimet e Shkollës verore, me temë: “Të rinjtë për
sundimin e ligjit”. Kjo veprimtari arsimore organizohet nga Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor e Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Këndin Amerikan në Tetovë. Qëllimi parësor i Shkollës verore është të ofrojë një prezantim të detajuar të sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut.
Ambasadorja e SHBA-ve, ekselenca e saj, Katie Marie Byrnes, në fjalën e rastit tha se ky
është një aktivitet me të vërtetë i rëndësishëm. Ajo theksoi se, sapo është rikthyer nga SHBA, ku kishte marrë pjesë në një konferencë në Uashington me ambasadorë nga e gjithë bota, ku është biseduar për sundimin e ligjit dhe sigurinë kombëtare, dhe pikërisht tema e kësaj shkolle verore është sundimi i ligjit. “Para një jave këtu në Maqedoni isha në një pres konferencë për dialog dhe isha pjesë e panelit ku fola për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe për arritjen e këtyre qëllimeve që i kemi para nesh. Dy javë para kësaj isha në Uashington në një dialog të parë strategjik në mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut, ku prekëm çështje serioze dhe si t’u adresohemi atyre si pjesë e agjendës globale. Dhe gjatë këtyre bisedimeve kishte një frymë optimizmi se çka mund të arrijmë, thënë sinqerisht, vetëm për shkak të njerëzve si ju, si fytyra të ndryshimit, persona që kanë ideale, aspiratat dhe pasionin për t’i shpërndarë këto detyra që ia kemi caktuar vetes sonë.
Pyetja numër një që ia kam parashtruar vetes që kur jam në Maqedoni është, se a jeni optimistë.
Në jetën e përditshme jemi ne administratë shtetërore dhe qytetarët, mbrojtësit e demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe varet nga ne se politikëbërësit, qeveritarët, udhëheqësit e biznesit, drejtuesit e komunitetit do t’i respektojnë këto parime të sundimit të ligjit. Kjo shkollë verore ka qëllim që t’ua ofrojë këto mjete juve që t’i zbatoni këto ide në praktikë dhe t’i vini në lëvizje. Të gjithë ne varemi nga ju për ndryshimin që duam to shohim, jo vetëm këtu në Maqedoni, por edhe në rajon dhe në botë. Faleminderit për prezencën dhe përkrahjen tuaj”, tha Ambasadorja e SHBA- ve, ekselenca e saj, Katie Marie Byrnes.
Zëvendësambasadori i Bashkimit Evropian, Julian Vassallo tha se kjo ngjarje është një
iniciativë e shkëlqyer dhe organizatorët kanë bërë një punë të madhe që na kanë mbledhur këtu.
“Gjendem këtu në emër të BE-së, që kur u formua u kuptua si një projekt ekonomik. Nuk është projekt ekonomik, më vonë u trajtua për projekt politik, por nuk ishte i tillë. Por mund të mendoni se është një projekt juridik. Ky projekt bazohet dhe mund të funksionojë kur sundimi i ligjit respektohet plotësisht. Kemi 26 shtete që akoma janë sovrane, por të cilat kanë formuar treg të përbashkët, me lëvizjen e lirë të njerëzve, e mallrave, kapitalit dhe kufijve të hapur, bashkëpunimit të ngushtë në shumë aspekte, por ajo që na bën bashkë është aplikimi i rregullave të njëjta, qoftë në Finlandë, Qipro, Lisbonë, ose Letoni. Kjo konferencë ka rëndësi, se me këtë do të kuptohet sundimi i ligjit dhe takimi si juristë të ardhshëm. Në këtë vend, siç e dini, sundimi i ligjit vëzhgohet nga BE-ja në kuptimin e akcesit në BE. E di se sundon skepticizëm i madh në këtë vend, e di se ka besueshmëri të ulët në disa institucione që duhet ta garantojnë sundimin e ligjit. Më lejoni të them se gjyqësori dhe politikanët tuaj meritojnë pak më shumë besim dhe falënderim që publiku
është i gatshëm t’ua japë, për kohën që jemi këtu ka përparim, por ka ende për të bërë, pa
dyshim, pasi që në jetën e përditshme hasni në korrupsion dhe dukuri që nuk duhet të ishin. Ka progres, kjo është pranuar edhe nga vendet e BE-së. Një element shumë i rëndësishëm i sundimit të ligjit është ideja që politikanët t’u telefonojnë gjyqtarëve, gjyqtarët t’u telefonojnë politikanëve, po ashtu, e njëjta ndodh me prokurorët dhe politikanët. Vet e kam parë distancimin, distancim të vogël nga kjo dukuri, që vjen nga pushtetarët nga lart, ku ky fenomen ka filluar të reduktohet dhe kjo është inkurajuese që ju na jepni shpresë, dhe se kjo shpresë do të jetë pika kryesore e ditëve që do t’i kaloni bashkë në këtë vend të mrekullueshëm”, tha zëvendësambasadori i Bashkimit
Evropian, Julian Vassallo.
Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti të pranishmëve u uroi mirëseardhje në këtë
aktivitet të rëndësishëm për zhvillimin e debatit të lirë, shprehjen e pikëpamjeve profesionale dhe kontributin e të rinjve në raport me sundimin, apo zbatimin e ligjit në vendin tonë. “Vetë iniciativa për organizimin e kësaj Shkolle verore me temën e sipërpërmendur, e konfirmon angazhimin e institucioneve tona, që kësaj çështjeje t’i qasemi me seriozitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin tonë të përbashkët. Kudo në botë, sidomos në shtetet me demokraci të konsoliduar, të rinjtë, përkatësisht studentët, përfaqësojnë avangardën e ndryshimeve, mirëqenien dhe shpresën për një të ardhme më të mirë. Sot, ne jetojmë në një botë ku komunikimi zhvillohet me një intensitet të lartë, ndërsa transparenca është shndërruar në synimin thelbësor për promovimin e praktikave më të mira të llogaridhënies për veprimtarinë e institucioneve publike, me theks të
veçantë e institucioneve të drejtësisë. Në vlerësimin e autoriteteve ndërkombëtare, drejtësia në shtetet e Ballkanit Perëndimor fatkeqësisht edhe më tej lë për të dëshiruar. Prandaj, debatet e këtij niveli që bashkorganizohen nga Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor e Universitetit të Tetovës dhe Këndi Amerikan në Tetovë, janë shumë të dobishme dhe japin kontributin e tyre në procesin e reformave institucionale. Organizatorët e lartpërmendur u ofrojnë të rinjve një përvojë që do t’u shërbejë atyre gjatë karrierës profesionale, do të kenë mundësi të njihen më tepër me një nga shtyllat më të rëndësishme të ndarjes së pushteteve, gjegjësisht pushtetin gjyqësor dhe sfidat e sundimit të ligjit. Sa më shumë të punojmë sot për shtetin e së drejtës, forcimin e standardeve demokratike, aq më e afërt do të jetë e ardhmja e shteteve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve në këtë ngjarje të rëndësishme për të gjithë ne”, tha Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor e Universitetit të Tetovës,
Mr. Sc. Donika Kamberi u shpreh se Shkolla verore ka lindur si rezultat i një bashkëpunimi të vjetër dhe të shëndoshë me Këndin Amerikan të Tetovës. Projekti filloi me iniciativën e Qendrës për Paqe Dhe Komunikim Transkulturor me mbështetjen e Këndit Amerikan të Tetovës. “Qendra për Paqe organizoi për herë të parë një shkollë verore “Rinia për sundimin e ligjit”, duke pranuar se të rinjtë luajnë një rol vendimtar në këtë drejtim, duke pranuar faktin e fenomenit të ikjes së trurit, korrupsionit, mosbesimit në sistemin gjyqësor dhe papunësisë dhe duke marrë parasysh arsyet e lartpërmendura. Zgjedhja e një kornize për programin e Shkollës verore ishte një punë mjaft sfiduese, në mënyrë që të përputhen në mënyrë adekuate profilet e mësimdhënësve me ekspertizën e tyre në këtë temë. Objektivi që kemi marrë përsipër në hartimin e këtij programi është që të avancojmë të kuptuarit tonë për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut duke i eksploruar ato në mënyrën më të plotë të mundshme. Ne jemi përpjekur ta organizojmë këtë ngjarje në një mënyrë që pjesëmarrësit të joshen të pyesin se çfarë kanë të bëjnë institucionet, zgjedhjet, gjyqësori, qeveria, gjykatat, ligji, ndryshimet, normat me mua dhe ne dhe pse sundimi i ligjit është i një rëndësie të madhe që këto institucione të funksionojnë siç duhet dhe të gjithë të
jenë të barabartë para ligjit. Jam shumë e sigurt se edhe në shoqëritë më stabile, sundimi i ligjit mbetet një projekt i papërfunduar dhe Maqedonia e Veriut është shembull tipik se sundimi i ligjit dhe drejtësia nuk është çështje llogaritjeje, por çështje parimore” u shpreh Drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor i Universitetit të Tetovës, Mr. Sc. Donika Kamberi.
Programi i shkollës verore do të jetë i ngjeshur, ku nxënësit dhe studentët nga 27 qershori
deri më 1 korrik 2022, do të kenë mundësi të njihen me nocionet kryesore të sundimit të ligjit, të instrumenteve të të drejtave të njeriut dhe të jurisprudencës, aq më tepër që ky korpus leksionesh do të prezantohet nga profesorë universitetesh, përfaqësues të qeverisë dhe institucioneve të ndryshme lokale, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues nga delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe nga Ambasada e SHBA-së në Shkup.