Grubi: Askush nuk mund të asimilojë askënd në shekullin 21

Zv.kryeministri i parë, Artan Grubi ka reaguar ndaj zërave për asimilim të kombit maqedonas nëse pranohet iniciativa franceze. Sipas tij është është absurde dhe fyese përpjekja për të imponuar frikë!

Marketing

Postimi i plotë:

Askush, në asnjë rrethanë, nuk mund të asimilojë askënd në shekullin e 21-të, në vitin 2022, në botën e sotme.
Absurde dhe fyese është përpjekja për të imponuar frikë! Sot gjithçka dihet, asgjë nuk mund të fshihet!
Pushtimet ushtarake, krimet masive, nuk arritën të asimilonin popujt në të kaluarën dhe sot gjoja kjo qenka “e mundur” përmes një marrëveshje bilaterale.

Ajo marrëveshje ka detyrime të qarta reciproke dhe mundësi dypalëshe për t’u refuzuar, për të mos pranuar apo për të vënë veton, në çdo kohë, ndaj çdo elementi që mund të kontestojë identitetin, atë gjuhësor, kulturor, historik ose ndaj çdo elementi që thjesht është i papranueshëm.
Nëse dikush është i pasigurtë në identitetin e tij dhe ka frikë për veten, kjo flet për personalitetin dhe forcën e karakterit të tij, si dhe për atë se sa e vlerëson popullin e tij dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’i referohet një kombi të tërë që nuk është asimiluar për shekuj.
Imponimi i histerisë për asimilim është fyerje, deri aq po i nënvlerësoni njerëzit se ashtu lehtë brenda natës mund të bëhen diçka tjetër?
Të njëjtën e thanë edhe për Marrëveshjen e Prespës, Maqedonia do të zhduket. Dielli lindi të nesërmen dhe çdo ditë, por tani si anëtarë të NATO-s!

Më lejoni t’ju kujtoj se çfarë thanë për gjuhën shqipe, platformën e Tiranës, do t’ju ndëshkojnë nëse nuk dini të flisni shqip, do të zhduket gjuha maqedonase, do të zhduket shteti. Dhe çfarë ndodhi? ASGJË! Përkundrazi, shteti ynë u bë më i fortë me qytetarë të barabartë.

Unë jam europian dhe dua të jem pjesë e Unionit me të gjitha veçoritë e mia, por edhe me të gjitha veçoritë e bashkëqytetarëve të mi maqedonas,ato etnike, gjuhësore, kulturore, identitare, shpirtërore.
Nesër do të duhet të shihemi përsëri, të përshëndetemi, as ju nuk e doni vendin më shumë se ne, as ne më shumë se ju, ndryshimi është në guximin për të marrë vendimin e duhur që do t’i sjellë tapinë shtetit nëpërmjet zero çështjeve të hapura me fqinjët.

Brenda i zgjidhëm çështjet me Marrëveshjen e Ohrit, me Greqinë përmes Marrëveshjes së Prespës, me Serbinë përmes autoqefalisë, ka mbetur që të rrumbullakësohet vetëm çështja me Bullgarinë dhe të mbyllet kontestimi shekullor që dështoi të asimilonte popujt e këtyre rajoneve.

As romakët, as bizantinët, as osmanët, as serbët dhe as bullgarët nuk ia dolën, nuk arriti askush dhe askush nuk do të ketë sukses.
Prandaj, mos gënjeni, mos i trembni njerëzit, lexoni dhe tejkaloni veten, mendoni dhe veproni për Maqedoninë e nesërme evropiane!