Qeveria greke ka vendosur të nisë një notë proteste lidhur me qëndrimin e Serbisë ndaj rrëzimit të avionit në fundjavë, në veri të Greqisë.
Sipas mediave greke, ditën e sotme, ambasadori grek do të paraqitet në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, për t’u ankuar, që Beogradi nuk ka informuar në kohë për ngarkesën dhe destinacionin e avionit, që fluturonte drejt Bangladeshit.
Qeveria greke nënvizon se duhet të informohej paraprakisht për ngarkesën që kishte avioni.
Avioni i tipit Antonov An-12 të shtunën në mbrëmje u nis nga aeroporti i Nishit dhe pak minuta më pas u rrëzua në afërsi të qytetit grek Kavala me 11,5 ton municion predhash.
Tetë anëtarë të ekuipazhit të avionit të mallrave, që operohej nga një kompani ukrainase, humbën jetën pas rrëzimit të tij, të shtunën në Kavalla të Greqisë.
Pas rrëzimit të avionit ka pasur shpërthime me orë të tëra dhe janë përhapur avuj asfiksues. Dy zjarrëfikësa u dërguan në spital me probleme në frymëmarrje. Shumë shpejt forcat e shpëtimit u tërhoqën dhe banorëve të zonës përreth iu bë thirrje të mos dalin nga shtëpitë dhe të mbanin dritaret mbyllur, sepse nuk ishte e qartë se çfarë lëndësh ka pasur në ngarkesën e avionit.