Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot në Teheran se është bërë përparim në negociatat për eksportin e grurit nga Ukraina nëpërmjet Detit të Zi dhe falënderoi homologun turk, Recep Tayyip Erdogan për “ndërmjetësimin” në këtë çështje.
“Dëshiroj t’ju falënderoj për përpjekjet tuaja ndërmjetësuese, për ofrimin e Turqisë si një terren për negociata rreth çështjeve të prodhimit të ushqimit dhe eksportit të drithërave nëpër Detin e Zi”, tha Putin në një takim me Erdoganin në Teheran.
I pari i shtetit turk ka deklaruar se qasja e Rusisë ndaj ndërmjetësimit të Turqisë për nxjerrjen e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi ishte “pozitive”.
“Qasja e delegacionit rus në takimet e fundit të Stambollit ishte shumë pozitive. Rezultati i bisedimeve do të ketë një ndikim pozitiv në të gjithë botën”, tha presidenti Erdogan para homologut rus, Vladimir Putin, në kryeqytetin iranian Teheran.
Presidenti turk gjithashtu tha se beson se bisedimet do të jenë “të frytshme” edhe në ditët në vijim.
Një takim të mërkurën e kaluar midis zyrtarëve turq, ukrainas, rus dhe të Kombeve të Bashkuara (OKB) ranë dakord për të formuar një qendër koordinimi në Stamboll për të lehtësuar eksportet e grurit ukrainas.
Ndryshe, Rusia ka vazhduar edhe sot me bombardime të shtetit ukrainas duke shkaktuar dëme materiale dhe viktima.