Kuvendi sot në seancën e 82-të me 103 vota “pro” dhe dy “kundër” ratifikoi protokollet për anëtarësimin e Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë së Suedisë në NATO. Kuvendi i Maqedonisë ratifikon për herë të parë protokollet e vendeve të reja që aspirojnë anëtarësimin në Aleancë, pasi vendi u bë zyrtarisht anëtar i NATO-s më 27 mars 2020, transmeton Portalb.mk.
Deputetët e shumicës qeverisëse dhe opozitës votuan për ratifikimin e protokolleve për hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Në seancën e sotme në Kuvend morën pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, anëtarë të tjerë të Qeverisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend.
Pas Samitit të NATO-s në Madrid, i cili u zhvillua në fund të muajit të kaluar, më 5 korrik të këtij viti përfaqësuesit e 30 vendeve anëtare të Aleancës në Bruksel nënshkruan protokollet e Traktatit të Atlantikut të Veriut në lidhje me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlanda në Pakt.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në Aleancë pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.