Real Madrid duket i vendosur për të siguruar një sulmues këtë merkato vere dhe në listën e madrilenëve është dhe futbollisti i kombëtares shqiptare, Armando Broja.
Sipas faqes prestigjiozes AS, Broja, i cili e kaloi sezonin e kaluar në huazim te Southampton në Premier League, është një nga emrat e përfolur se mund të kalojë në Madrid sezonin tjetër.
Së bashku me një mori talentesh të tjerë, Broja konsiderohet si një nga objektivat e mundshëm për Los Blancos po vetëm nëse lojtarë si Marco Asensio ose Dani Sebajos do të largohen nga Bernabeu.
Për të ardhmen e talentit kuqezi është folur shumë në fakt edhe pse ai aktualisht po stërvitet me Chelsea.
“Blutë e Londrës” nuk duken se e kanë në planet e sezonit të ri. West Ham ishte një nga klubet më të interesuara për futbollistin, por me afrimin e Skamakës, duket se dëshirat e drejtuesve kanë ndryshuar.
Broja e kaloi sezonin e kaluar si huazim te Southampton dhe në moshën vetëm 20-vjeçare, sulmuesi shqiptar tregoi se ka potencial të vërtetë. Me Karim Benzema që ka arritur vitet e fundit të karrierës së tij, Real Madrid tani synon një sulmues të ri dhe premtues për disa vite.