Nano pret delegacionin e lartë nga RMV: Bashkëpunimi ynë, i ngushtë

Drejtori i Përgjithshëm i Byrosë së Sigurisë Publike të Maqedonisë së Veriut Sasho Tasevski, i shoqëruar nga Delegacioni i Lartë i Maqedonisë së Veriut, vizitë në Policinë e Shtetit.

Marketing

Tasevski u prit në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano. Fillimisht, të dy krerët e policive zhvilluan një takim kokë më kokë.

Më pas, gjatë takimit zyrtar ndërmjet dy delegacioneve u diskutua për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe terrorizmit.

Gledis Nano: “Bashkëpunimi ynë ka qenë i ngushtë, si për çështje operacionale ashtu edhe për elemente të tjera të luftës së përbashkët kundër krimit, andaj ky takim veçse do ta forcojë më tej atë. Në misionin tonë në krye të policive të të dy shteteve, ne ndajmë të njëjtat aspirata dhe qëllime, si lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, krimeve të rënda, terrorizmit dhe pastrimit të parave, që janë indikatorë me shumë rëndësi për sigurinë në vend. Për ne si Policia e Shtetit shqiptar ka qenë dhe mbetet prioritet gjithashtu lufta ndaj trafikimit të lëndëve narkotike. Për këtë qëllim ne kemi përqëndruar dhe forcuar më tej, kapacitetet tona logjistike dhe burimet njerëzore në Portin e Durrësit, që është edhe vendi ku kemi goditur më shumë tentativa të trafikimit të lëndëve narkotike, të ardhura nga Amerika Latine. Një tjetër prioritet për Policinë e Shtetit është parandalimi dhe goditja e tentativave për kultivim të kanabisit, aktivitet kriminal i cili pasuron grupet kriminale, edhe individët, duke u dhënë atyre një instrument të fuqishëm korruptiv. Gjithashtu, shtrirja e aktiviteteve të ndryshme kriminale në disa shtete apo prania e autorëve në disa shtete, na ngarkon me përgjegjësi për të bashkëpunuar më tej dhe më ngushtë, për të garantuar rend dhe siguri për qytetarët tanë, përmes shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe pasjes së një shërbimi policor kufitar serioz dhe me integritet, dhe jam i bindur që ne e kemi vullnetin për ta bërë këtë.”

Sasho Tasevski: “Fillimisht dua t’ju falënderoj përzemërisht për mikpritjen tuaj që nga Pika e Kalimit Kufitar, deri këtu. Vizita ime sot, këtu, tregon qartë marrëdhëniet e shkëlqyera midis 2 policive të shteteve tona dhe vullnetin për të vijuar më tej bashkëpunimin tonë dypalësh në funksion të çështjeve operacionale. Kjo klimë bashkëpunimi është një element kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në te dy shtetet tona dhe gjithashtu na motivon për të punuar së bashku, edhe më tej, për çështje si lufta kundër krimit të organizuar dhe krimeve ndërkufitare, të cilat janë prioritetet tona të përbashkëta. Në vijim, bashkëpunimi ynë do të intensifikohet në drejtim të veprimeve të përbashkëta operacionale dhe hetimore, për çështje të tilla ndërkombëtare, si terrorizmi, lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Puna dhe bashkëpunimi ynë do të vijojë dhe do të forcohet jo vetëm në drejtim të luftës ndaj fenomeneve kriminale, por edhe për parandalimin e tyre.”