Gjermania kërkoi ndihmën e Kanadasë për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile dhe nga Rusia, e ajo u përgjigj.
Dy vendet nënshkruan një marrëveshje të shumëtrumpetuar bashkëpunimi për prodhimin dhe transportimin e hidrogjenit, lëvizje kjo e përshkruar nga kryeministrit kanadez, Justin Trudeau si “hap historik drejt të ardhmes së përbashkët”.
“Shënjestra jonë është e qartë: të punojmë drejt eksporteve fillestare të hidrogjenit kanadez në Gjermani deri më 2025. Rezultatet po ashtu janë të qarta, të krijojmë vende puna për shtresën e mesme, derisa dërgojnë energji të pastër, që do të ndihmojë në luftimin e ndryshimeve klimatike”- u shpreh kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau.
Për kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ky pakt që i jep udhë një rrjeti të gjelbër transatlantic, e çon partneritetin mes dy vendeve në një nivel tjetër.
Marrëveshja, tha ai, përbën “hap të rëndësishëm, jo vetëm për forcim të lidhjeve ekonomike, por edhe për energji të qëndrueshme në të ardhmen”.
Newfoundland konsiderohet vend i favorshëm për prodhim të hidrogjenit, pasi është një rajon me shumë erëra dhe pak popullsi. Shfrytëzimi i hidrogjenit nuk prodhon gazra serrë. Për ta prodhuar atë, uji duhet të ndahet në hidrogjen dhe oksigjen përmes elektrolizës – një proces ky miqësor ndaj klimës.
Aktualisht kostoja e prodhimit të hidrogjenit është më e lartë sesa blerja e gazit natyror, por ekspertët besojnë se hidrogjeni ka aftësi të zvogëlojë faturat e energjisë në të ardhmen.