Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar arritjen e marrëveshjes për dokumente me Serbinë, përmes së cilës u mundësohet lëvizja e lirë hyrje-dalje qytetarëve të të dyja vendeve.
Kurti ka falënderuar ndërmjetësit Josep Borrell, Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, si dhe ambasadorin amerikan Hovenier për kontributin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas tij, reciprociteti është fryma e bisedimeve parimore dhe të barabarta.
Për kryeministrin Kurti, zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda.
“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë.
Falënderoj ndërmjetësit, zotërinjtë Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin”, ka shkruar kryeministri në Facebook. /Reporteri.net/.
Postimi i plotë i tij:
Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit.
Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë.
Falënderoj ndërmjetësit, zotërinjtë Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin.