Takim Besimi – Gabriel: BEI me përkrahje të konsiderueshme për infrastrukturën, projektet energjetike dhe tranzicionin e gjelbër

Investimet në tranzicionin e gjelbër të kompanive të vogla dhe të mesme nëpërmjet 100 milionë eurove shtesë nga BEI përmes Bankës Zhvillimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të tilla si interkonektuesi me Greqinë, akset hekurudhore të Koridorit 8, si dhe projekte të tjera me fokus në ekonominë e gjelbër ishin tema të takimit të sotëm të ministrit të Financave, Fatmir Besimi dhe drejtorit të Zyrës së Bankës Evropiane të Investimeve në Shkup, Björn Gabriel. Banka Evropiane e Investimeve është një nga financuesit më të mëdhenj të ekonomisë së gjelbër në botë dhe aktualisht përkrahja e saj në projektet e sektorit publik në vendin tonë është 246.9 milionë euro.

Marketing

100 milionë euro mjete shtesë për kompanitë e vogla dhe të mesme, siç u theksua, pritet të jenë në dispozicion deri në fund të vitit. Në këtë takim u diskutua lidhur me rëndësinë e projekteve aktuale dhe të ardhshme të financuara nga BEI, siç janë stacioni filtrues i ujërave të zeza në Shkup, faza e tretë e hekurudhës nga Korridori 8 drejt Bullgarisë, si dhe aksi hekurudhor i Korridorit 8, nga Kërçova në Strugë, me ç’rast banka shprehu interes që të jetë institucioni financiar kryesor për përgatitjen e këtij projekti.

Ministri Besimi, theksoi se aktualisht prioriteti më i madh është ballafaqimi me krizën energjetike, prandaj krahas masave që ndërmerren për zbutjen e efekteve, rëndësi ka që të investohet në projekte me vlerë permanente.

“Qeveria është përkushtuar në investime mbi tranzicionin e gjelbër dhe në ndryshimin e strukturës energjetike në vend që do të ofrojë siguri gjatë furnizimit me burime energjetike, duke u fokusuar në burimet e ripërtëritshme. Nevojitet përshpejtimi i realizimit të projekteve të parashikuara për të cilat janë siguruar mjetet financiare”, theksoi Besimi dhe shtoi se duhet të krijohen politika të cilat do të mundësojnë që ekonomia jonë të bëhet e qëndrueshme, moderne dhe më e fuqishme se paraprakisht.

Drejtori i Bankës Evropiane të Investimeve në RMV, Björn Gabriel, konfirmoi përkrahjen e bankës sa i përket realizimit të qëllimeve dhe reformave tona në përputhje me politikat e BE-së, gjithashtu theksoi se banka është e gatshme që ta shqyrtojë mundësinë e përkrahjes direkte për kompanitë nga sektori privat në periudhën e ardhshme.

Që nga viti 1991 deri më tani, BEI ka përkrahur kompanitë e vogla dhe të mesme si dhe ekonominë tonë me mbi një miliard euro investime në projekte kyçe infrastrukturore.