Zelenski: Ushtria ruse po tërhiqet

Kundërofensiva e Ukrainës po përparon në lindje të vendit. Qytetet Izjum, Balaklia dhe Kupjansk tashmë janë kthyer nën kontrollin e Kievit dhe vija e luftimeve po zgjerohet gjithnjë e më shumë drejt Rusisë.

Marketing

“Gjithçka do të jetë e Ukrainës, flamuri ynë tashmë po valon këtu”, tha një ushtar ukrainas.

Presidenti Volodimyr Zelenski tha se rreth dy mijë kilometra katrorë të territorit të pushtuar janë çliruar dhe në të njëjtën kohë ushtria ruse po ik.

“Ushtria ruse këto ditë po tregon më të mirën e saj – duke treguar shpinën dhe sigurisht, për ta, vendimi më i mirë është të ikin. Nuk ka vend për pushtuesit në Ukrainë dhe nuk do të ketë kurrë”, deklaroi Volodymir Zelenski – Presidenti i Ukrainës.

Pas informacioneve se ushtria ruse po tërhiqet, duke lënë pas shumë municione, pajisje ushtarake dhe mjete luftarake, dje Moska informoi se bëhet fjalë për një risistemim të forcave. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, forcat e tyre u vendosën vetëm përkohësisht në rajonin e Donbasit.

Ndërsa sipas autoriteteve ushtarake ukrainase, armiku është në panik, ikën dhe vazhdon të pësojë humbje të mëdha.

“Për shkak të humbjeve të konsiderueshme në këmbësori, pushtuesit rusë planifikojnë të zbatojnë të ashtuquajturin mobilizim të popullatës meshkuj në territoret e pushtuara përkohësisht. Për momentin, burrat e kanë të ndaluar të largohen nga vendbanimet”, shtoi Oleksandr Stupun – zëdhënës i forcave ushtarake të Ukrainës.

Kundërofensiva e Ukrainës, e cila filloi ditët e fundit, është hapi i parë domethënës në luftën kundër forcave ruse, pasi mbajti kryeqytetin Kiev nën kontrollin ukrainas, i cili ishte objektiv i sulmeve të ashpra në fillimin e luftës në shkurt. Mihailo Podoljak, këshilltari i Zelenskit, tha dje se vjeshta ukrainase është shumë më e fortë se pranvera ruse dhe ai pret që rusët të humbasin kontrollin edhe në Donbas.