Finlanda mbyll kufijtë për turistët rusë

Finlanda deklaroi ditën e sotme se do të mbyllë kufijtë për turistët rusë duke filluar nga mesnata me orën lokale, gjë që pritet të çojë në një rënie të konsiderueshme të trafikut ndërkufitar.

Marketing

“Vendimi synon të parandalojë plotësisht situatën aktuale të turizmit rus në Finlandë dhe tranzitin e ndërlidhur përmes Finlandës”, tha Ministri i Jashtëm Pekka Haavisto në një konferencë për shtyp.

Haavisto përmendi dëmtimin e “marrëdhënieve ndërkombëtare të Finlandës” si justifikim për vendimin dhe tha se mobilizimi i Rusisë kishte një “ndikim të rëndësishëm” në vlerësimin e tyre.

“Referendumet e paligjshme në Ukrainë” dhe sabotimi i supozuar i tubacioneve Nord Stream në Detin Baltik kanë shtuar shqetësimet, tha Haavisto.

Ndërkohë thuhet se rusët do të munden të hyjnë në Finlandë për të takuar familjen, për arsye pune apo studimi.

Ministrja e Brendshme Krista Mikkonen tha se është e mundur që kufizimet të rezultojnë në rritje të numrit të kërkesave për azil dhe kalime të paligjshme kufitare.

Edhe para urdhrit të mobilizimit të Rusisë, Finlanda kishte kufizuar numrin e vizave që u jepeshin rusëve, pasi turizmi nga fqinji i saj lindor kishte shkaktuar pakënaqësi për shkak të luftës në Ukrainë.

Por, Haavisto vuri në dukje se kufizimet në vend nuk ishin “të mjaftueshme” në situatën aktuale.