Në komunën e Sarajit u hap Qendra për Punë Sociale, ku banorët e kësaj komune do të mund t’i kryejnë shërbimet e tyre. Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Liridon Baftiju tha se qëllimi është që të zvogëlohen pritjet e gjata në Karposh, ku banorët e Sarajit deri më sot i kanë marrë këto shërbime. Baftiju tha se kategoritë sociale të kësaj komune, do ta kenë më të lehtë qasjen deri tek shërbimet, ndërsa sqaroi se çfarë shërbime ofrojnë.
“Banorët do të kenë qasje në të gjitha shërbimet që i japim ne, asistenca sociale, shtesa fëmijërore, shtesat për fëmijët që janë në arsim, shtesa për përkujdesje për personin tjetër dhe shumë të tjera. Këtu kanë të drejtë të aplikojnë, lënda dërgohet në Karposh, nuk është e nevojshme pala të shkojë, po ne në mënyrë zyrtare i dërgojmë, pastaj procesohet lënda”
Kreu i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti tha se e ka mirëpritur nismën dhe theksoi se komuna vazhdimisht ka nevojë për bashkëpunim ndërinstitucional për çfarëdo iniciative që do të lehtësonte jetën e qytetarëve.
“Me këtë po dëshmohet se Saraji çdo ditë ka nevojë për institucione këtu në Saraj, për zhvillim të mëtutjeshëm dhe besoj se me një punë epikore bashkërisht të gjitha institucione do të ia dalim siç është rasti i sotshëm, sado që mund të duket simbolik, për qytetarët që janë shfrytëzues të këtyre shërbimeve me siguri se është shumë e rëndësishme”, tha Bexheti.
Qendra do të punojë çdo ditë nga ora 13 deri në ora 14.