Shkencëtari Svante Paabo merr çmimin Nobel për Mjekësi

Në një deklaratë të hënën, Organizata Nobel tha se shkencëtari Paabo po nderohet “për zbulimin e një qasjeje të re për të studiuar historinë tonë evolucionare”, shkruan Zëri i Amerikës.

Marketing

67-vjeçari suedez kapërceu sfida të skajshme teknike në trajtimin e kampionëve të brishtë dhe të lashtë të ADN-së për të siguruar me sukses sekuencën e gjenomit, tha organizata.

“Kjo u pasua nga zbulimi spektakolar nga ana e tij e një specieje tjetër të zhdukur, Denisova, realizuar tërësisht nga të dhënat e gjenomit të marra nga një ekzemplar i një kocke të gishtit të vogël”, thuhet në deklaratë.

Ky zbulim më pas arriti në përfundimin se Neandertalët dhe Denisovanët ishin grupe motra që u shkëputën nga njëri-tjetri rreth 600,000 vjet më parë.

Gjenet e Denisovanëve janë gjetur në deri në 6% të njerëzve modernë në Azi dhe Azinë Juglindore, gjë që tregon se ndërveprimi ka ndodhur edhe atje.
Puna e shkencëtarit Paabo vërtetoi se Homo Sapiensët, Neandertalët dhe Denisovanët kishin ndërvepruar “gjatë periudhave të bashkëjetesës”, gjë që rezultoi në përfshirjen e ADN-së arkaike tek njerëzit e sotëm.”

Megjithëse kockat e Neandertalit u zbuluan për herë të parë në mesin e shekullit të 19-të, vetëm duke zbërthyer ADN-në e tyre, shkencëtarët kanë qenë në gjendje të kuptojnë plotësisht lidhjet midis specieve.

Kjo përfshin kohën kur njerëzit modernë dhe Neandertalët u ndanë si specie, rreth 800,000 vjet më parë, tha Anna Wedell, kryetare e Komitetit të Çmimit Nobel.
“Paabo dhe ekipi i tij zbuluan gjithashtu se kishte patur kalim gjenesh nga Neandertalët te Homo Sapiensët, gjë që dëshmon se ata kishin pasur fëmijë së bashku gjatë periudhave të bashkëjetesës,” tha ajo.

Ky transferim i gjeneve midis specieve ndikon në mënyrën se si sistemi imunitar i njerëzve modern reagon ndaj infeksioneve, siç është koronavirusi. Njerëzit jashtë Afrikës kanë 1-2% të gjeneve të Neandertalit.

Prof. Paabo bashkëpunon me Institutin Max Planck për Antropologjinë Evolucionare, në Leipzig, Gjermani, dhe Institutin e Shkencës dhe Teknologjisë Okinawa, në Okinawa, Japoni.

Çmimi për Mjekësi është i pari nga pesë Nobelët që do të jepet këtë javë, duke përfshirë Çmimin Nobel për Paqen të premten. Çmimi i Ekonomisë shpallet më 10 tetor. Është i vetmi çmim që nuk është krijuar nga shpikësi suedez Alfred Nobel.
Ceremonia zyrtare e çmimit Nobel do të mbahet në dhjetor në Stokholm.