Nazifi, djaloshi nga Cërnilishta e Prilepit, nënshkroi me Shkëndijën

Sulmuesi 17-të vjeçar shihet si talent i së ardhmes dhe firmos kontratë afatgjatë me Shkëndijën.

Marketing

Klubi i Futbollit Shkëndija me kënaqësi komunikon firmosjen e kontratës profesionale me sulmuesin e ri, Zani Nazifi. 17-të vjeçari nga Cërnilishta e Prilepit vite më parë u rekrutua në shkollën e futbollit Shkëndija, ndërsa ngritja e vazhdueshme e performansave ka bindur drejtuesit që ta shpërblejnë me kontratë profesionale me kohëzgjatje prej pesë viteve.

“Është moment shumë i rëndësishëm në jetën time. Të firmos kontratë profesionale me Shkëndijën është realizim i një ëndrre. Ky klub i madh dëshirohet nga çdo i ri jo vetëm nga vendi jonë, por edhe më gjërë dhe unë jam shumë krenar për veten dhe familjen që fitoj besimin për të mbrojtur këto ngjyra. Jam shumë i motivuar të punoj me impenjim maksimal për të arsyetuar besimin e drejtuesve të klubit dhe trajnerëve”, është shprehur Nazifi pasi hodhi firmën në kontratën me Shkëndijën.

Zani Nazifi është anëtarë i rregullt i përfaqësueses U 19 të Maqedonisë së Veriut. Te kuqezinjtë u afrua tre vite më parë nga Pobeda e Prilepit, ndërsa përveç paraqitjeve me ekipet e moshave, kohë pas kohe grumbullohet edhe nga ekipi i parë, derisa tashmë ka regjistruar 7 paraqitje zyrtare.

Debutoi me seniorët më 19 shkurt 2022 kundër Borecit dhe deri në fund të sezonit të shkuar regjistroi 6 paraqitje. Në sezonin aktual ka zhvilluar 11-të minuta në sfidën e parë të edicionit të ri përballë Sileksit.