ITSHKSH me iniciativë të re: Nga një bredh, do të lindin tre parqe me  emrin e Nënës Tereze

“Ne si Institut, në bashkëpunim me NP “Parqe dhe Gjelbërime”, duam të
përtërijmë trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, e cila kësaj
radhe identifikohet përmes pesë fidaneve që u lindën nga bredhi i
shkatërruar i Nënës Tereze, e që simbolizojnë edhe familjen pesë
anëtarëshe të Bojaxhinjëve të Shkupit”, thotë drejtori i ITSHKSH,
prof.dr. Skender Asani.
Shkup, 10 tetor 2022– Në kuadër të përgatitjeve për shënimin e 19
vjetorit të lumturimit të Nënës Tereze (19 tetor 2003), Departamenti
për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze pranë ITSHKSH në
bashkëpunim me intitucionet përkatëse në Shkup, në Prishtinë dhe
Tiranë, do të bëjnë përtëritjen e  fidaneve nga boçat e bredhit të
dëmtuar të Nënë Tereze e cila e kishte mbjellur vet në vitin 1980 në
vendin ku ishte shtëpia e saj e lindjes, në Sheshin e Shkupit.
Kjo ishte edhe arsyeja e takimit të sotëm të drejtorit të ITSHKSH ,
prof.dr. Skender Asani me drejtorin e NP “Parqe dhe Gjelbërime”,
Zuhejr Rexhepi, me ç’rast u ra dakord që nga farat e bredhit të
dëmtuar të mbillen pesë fidane që simbolizojnë familjen pesë
anëtarëshe të  Bojaxhinjve të Shkupit (Kola, Drania, Agia, Lazëri dhe
Gonxhja).
“Me këtë veprim, ne si Institut, në bashkëpunim me NP “Parqe dhe
Gjelbërime”, duam të përtërijmë trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës
Tereze, e cila kësaj radhe identifikohet përmes pesë fidaneve që u
lindën nga bredhi i shkatërruar i Nënës Tereze, e që simbolizojnë edhe
familjen pesë anëtarëshe të Bojaxhinjëve të Shkupit. Mbjellja
korrespondon me shënimin e një date të rëndësishme nga jeta
shpirtërore e Nënës Tereze, që ndodhi para 19 viteve, konkretisht më
19 tetor 2003, atëherë kur Nënë Tereza u shpall e “Lumturuar” nga Papa
Gjon Pali II. Prandaj, ideja është që kjo ngjarje të ketë edhe një
kuptim që shkon përtej evokimit të thjeshtë, duke rreshtuar tre
qytetet tona kryesore Shkupin, Tiranën dhe Prishtinën në një
iniciativë të përbashkët që do të kurorëzohet me përtëritjen e tre
parqeve me bredha, si vazhdimësi e bredhit të dëmtuar të Nënë Tereze.
Këto parqe do të mbajnë emrin e saj dhe me këtë ne si Institut duam të
përçojmë kauzat humane e civilizuese të Nënë Tereze, e cila na
porosite që asnjëherë të mos pushojmë në përhapjen e dashurisë dhe
mirëkuptimit në me të njerëzve, pa dallim përkatësinë e tyre etnike,
fetare e racore”, tha Asani pas takimit me drejtorin e NP “Parqe dhe
Gjelbërime”.
Drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Zuhejr Rexhepi, u zotua se do të
ndërmerren të gjitha masat që kjo iniciativë e ITSHKSH-së të
kurorëzohet me sukes, ndërkohë që ITHKSH me qëllim të konzervimit të
rrënjëve nga bredhi i cunguar i Nënë Tereze, do ti dërgojë një
elaborat Drejtorisë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore  dhe të
njëjtat do të përdoren si shenjë identifikimi e vendodhjes së shtëpisë
së lindjes së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze.

Marketing