Bytyqi: Kromberg dhe Shubert fillojnë një investim të ri prej gati 26 milionë euro në Manastir

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, sot vizitoi fabrikën “Kromberg dhe Shubert” në zonën industriale “Zhabeni” në Manastir.

Qëllimi i vizitës ishte nënshkrimi i kontratës së re për ndihmë shtetërore për një cikël të ri investimi të “Kromberg dhe Shubert” prej 25.760.000 euro.

Vijon deklarata për media e zëvendëskryeministrit Bytyqi:

“Ju faleminderit për mikpritjen tuaj sot, për mundësinë për të vizituar fabrikën tuaj.

Por është koha të themi pse erdhëm sot, e që është nënshkrimi i kontratës së e re për ndihmë shtetërore me “Kromberg dhe Shubert”.

Kjo është tashmë kontrata e tretë që kemi nënshkruar në “Kromberg dhe Shubert”, që do të thotë se kapacitetet prodhuese, investimet dhe numri i të punësuarve të kësaj kompanie në vendin tonë janë në rritje.

Data e sotme në fakt përkon me datën e hapjes së kësaj fabrike këtu në zonën industriale Zhabeni, e që sot ka mbi 5300 të punësuar.

Investimi i ri, për të cilin sot nënshkruam marrëveshjen e mbështetjes financiare, kap vlerën e 25 milionë e 760 mijë euro dhe do të hapë 1230 vende të reja pune në tre vitet e ardhshme dhe parashikohet zgjerimi i atyre ekzistuese dhe hapja e linjave të reja të prodhimit që do prodhojnë pjesë për modelin e ri Audi 4 dhe versionin e ri “face lift” të Audi 6.

Për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme vlera që “Kromberg dhe Shubert” ia sjell zhvillimit të këtij rajoni. Në vitet e fundit kemi bërë ndryshime të rëndësishme ligjore për të zhvilluar të gjitha qarqet e vendit, një ndër to është ndryshimi që kemi bërë në Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve, kompanitë që investojnë në rajonet më pak të zhvilluara marrin një përqindje më të lartë të mbështetjes financiare.

Kurse mbështetja për kompanitë po rritet dhe është veçanërisht e rëndësishme që edhe në kohë krize ato vazhdojnë të rriten dhe të investojnë.

Vetëm këtë vit, përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, kemi nënshkruar 277 kontrata të reja me kompanitë për ciklet e investimeve në vitet në vijim. Këto 277 kontrata të reja do të bëjnë cikle investimi prej 140 milionë euro. I gjithë portofoli i kompanive që mbështesim në zhvillimin e tyre është mbi 550 kompani, aktualisht me kontrata aktive. Me ardhjen time në këtë pozicion në vitin 2020, për herë të parë pavarësisht krizës së Covid-it, ne patëm pagesën 100% të ndihmës shtetërore për kompanitë tona, gjë që konfirmon përkushtimin tonë ndaj tyre dhe synimin tonë për të vazhduar mbështetjen e tyre.”

Marketing