Xhaferi: Kuvendit i duhet një rregullore e re

Është e qartë se Kuvendit i duhet një Rregullore e re, sepse kushdo që të vjen në punë me Rregulloren aktuale do ta ketë problem, tha kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në një takim me gazetarët sot. Ai bëri të ditur se për nesër ka thirrur mbledhjen e grupeve parlamentare në lidhje me procesin “Jean Monnet”, i cili mbulon pikërisht punën e Rregullores së Punës.
Në takimin me gazetarët ai tha se deputetët në kuadër të procesit “Jean Monnet” duhet të rishikojnë nenet e Rregullores duke filluar nga neni 132 e tutje. Sipas tij, një Rregullore e tillë duhet të miratohet në procedurë të rregullt, në dy lexime dhe me diskutim amendamentues. Xhaferi konsideron se me Rregulloren e re duhet të zgjidhen shumë paqartësi dhe probleme që dalin nga dokumenti aktual i punës së Kuvendit, por duhet të bëhen edhe kufizime, si në miratimin e ligjeve të caktuara, ashtu edhe në zgjedhjet e zyrtarëve të caktuar.
Lidhur me Raportin e KE-së dhe vërejtjet e Bankës Botërore për kohëzgjatjen e miratimit të disa ligjeve, kryetari i Kuvendit ritheksoi se raporti pasqyron punën e Kuvendit dhe se edhe po të donte nuk mund të ndikonte në marrëdhëniet mes aktorëve politikë, duke theksuar se për dijalog nevojiten dy palë.
“Koordinimet bëhen çdo javë, por VMRO-DPMNE nuk vjen. Nuk i kam instrumentet, kushtimisht thënë, për t’i detyruar palët të komunikojnë.”, thotë Xhaferi.
Marketing