Demokratët dështuan sërish në përpjekjet për t’u bashkuar. Në zgjedhjet lokale të 14 majit, dy grupimet brenda Partisë Demokratike do të garojnë të ndarë.
Statuti i 11 Djetorit, i Komisionit të Rithemelimit duket se ka qenë ngërçi i bisedimeve. Në reagimin e grupit që mbështet Alibeajn, thuhet se këmbëngulja e grupit të Berishës për të njohur këtë statut “ka minuar bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet lokale”.
Këtë paradite, grupimi Alibeaj i dërgoi një dokument parimesh grupimit Berisha ku përcaktohej mekanizmi që duhet të përzgjidheshin kandidatët e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 14 majit.
Drafti që mbante autorësinë e Gazment Bardhit kërkonte që procesi të mos udhëhiqet nga Sali Berisha, por nga një organ i ri qe quhet Këshilli Drejtues Politik i Partisë Demokratike që ngrihet në mënyrë konsensuale në nivel qendror dhe vendor.
Përzgjedhja e kandidatit të përbashkët për kryetar bashkie propozohej te bëhej përmes një “sistemi pikëzimi” ku 50 për qind e vlerësimit e bënte anëtarësia dhe gjysmën tjetër organi i ri që parashikohet të ngrihet, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë parashikimin e statutit të Berishës ku të drejtën e përzgjedhjes së kandidatëve e ka anëtarësia përmes primareve. Por ky propozim është hedhur poshtë nga grupimi Berisha, duke i dhënë kështu fund negociatave mes dy grupimeve.