Besimi: Konsolidimi fiskal vazhdon edhe në kohë krize, 250 milionë euro të siguruara për masa dhe 795 milionë euro për investimе

Për të tretin vit, propozojmë buxhet në kohë krize. Në këtë buxhet parashihen 250 milionë euro për ballafaqimin e krizës si dhe 795 milionë euro për zhvillimin e investimeve kapitale dhe njëherazi bëhet edhe konsolidimi fiskal.

Marketing

Kjo u theksua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, i ftuar në emisionin Top Tema, ku potencoi se ajo që e karakterizon këtë buxhet është vazhdimi i trendit të konsolidimit fiskal, që nënkupton kornizë të qëndrueshme financiare që jep sinjal të qartë për investitorët se pavarësisht krizës po shkojmë drejt stabilizimit të bilancit të financave publike, përkatësisht deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

 

“Me këtë buxhet, nga aspekti nominal, mbetemi në nivelin e njëjtë të deficitit buxhetor prej 695 milionë eurove si në vitin 2022, por në aspektin procentual në raport me PBB-në, nëse për këtë vit përqindja është 5.3%, për vitin e ardhshëm do të kemi ulje të deficitit si përqindje të PBB-së në 4.6%

Deficiti buxhetor në vitin 2020 ishte 8.1% e PBB-së, pastaj në vitin 2021, projeksioni ishte 6.1% dhe arritëm deficit buxhetor prej 5.5%, ndërsa në vitin 2022 planifikuam konsolidim në 4.3%, por për shkak të efektit të madh të krizës energjetike, me rishikimin projektuam deficit buxhetor prej 5.3% të  PBB-së”, sqaroi ministri.

Ai shtoi se duhet pasur parasysh se pavarësisht krizës globale, e ka përmasa të mëdha, ne jemi duke bërë konsolidim fiskal.

 

“Detyra ime, si ministër i Financave, është që të propozojë buxhet, i cili në aspektin makrofinanciar dhe fiskal do të jetë i qëndrueshëm në periudhë afatmesme. Edhe në kohë krize, ne po vazhdojmë me konsolidimin fiskal. Nuk shpenzohet mbi pozicione të ndryshme më shumë sesa ka të hyra, me qëllim të mos shkaktojmë borxhe më të mëdha të panevojshme.Gjithashtu, kemi dinamikë më ambicioze sa i përket shpenzimeve kapitale të buxhetit”, potencoi ministri Besimi dhe shtoi se  kyçe  është që shpenzimet kapitale janë projektuar mbi nivelin e deficitit, si dhe se me këtë buxhet vendosen mekanizma dhe indikatorë për realizim më të madh të tyre.

Ministri Besimi potencoi se Buxheti për vitin 2023 është buxheti i parë, me të cilin propozohet sipas Ligjit të ri të Buxheteve, ku propozohen rregullat fiskale, që mes tjerash i referohen nivelit të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Siç pohoi, borxhi publik për shkak të krizës dhe ballafaqimit me efektet e kësaj krize, shënoi rritje në vitin 2020 për 10% dhe arriti nivelin prej 61%, por pas kësaj periudhe, përmes politikave të zbatuara, ai shënoi ulje dhe tani është në nivel prej 55.7% të PBB-së.

 

Si pjesë e masave shtesë për konsolidimin fiskal është edhe plani për kursim nga ana e të gjitha institucioneve, përkatësisht janë parashikuar më shumë mjete për energji elektrike, ndërsa zërat e tjerë të buxhetit për vitin e ardhshëm siç janë mëditjet, shpenzimet e udhëtimeve, mobilieve, automjeteve etj., janë ulur.

Me Buxhetin e vitit 2023, ministri tha se është inkorporuar rritja e pagës minimale,  e cila do të vijojë në përputhje me metodologjinë e vendosur dhe theksoi se nuk do të ketë ulje të pagave në administratën publike, por se po përgatitet metodologji e re për harmonizimin e të gjitha pagave me pagën minimale, për të cilën duhet të përfundojnë bisedimet dhe të bëhen ndryshimet ligjore.

 

Gjatë intervistës, bëri të ditur se së shpejti do të kumtohet edhe vendimi përfundimtar në lidhje me procesin e filluar të reformës tatimore. Gjithashtu, theksoi se zgjidhja që do të ofrohet nuk do të jetë në dëm të ekonomisë dhe se do priret të sigurojë tatimim të drejtë dhe sistem tatimor që do ta përkrahë rritjen ekonomike.