Diku rreth vitit 193 Para Erës Sonë, gjenerali i famshëm romak, Shipion Afrini, udhëhoqi një delegacion nga Qyteti i Përjetshëm në Sirinë e sotme për t’i thënë mbretit të saj, Antiokut III, të mos tentonte të prekte territoret e Greqisë.
Për herë të parë në histori, ky rajon i rëndësishëm kulturor dhe ekonomik, kishte rënë nën kontrollin e italianëve pas një sërë luftërash me Maqedoninë, dhe romakët nuk donin të hiqnin dorë prej saj.
I pranishëm në oborrin sirian pas mbërritjes së delegacionit romak ishte Hanibali, komandanti i mërguar i luftës, që vite më parë kishte mbrojtur qytetin e pasur të Kartagjenës kundër ushtrisë romake dhe në luftërat me të gati e rrafshoi Republikën para se të mposhtej nga Skipioni.
Pra lufta ishte hera e fundit që këta dy burra u përballën me njëri-tjetrin. Këtë herë, që të dy ishin mysafirë të ulur në tryezën e Antiokut, një rastësi tejet e rrallë që solli një bisedë po aq të pabesueshme.
Duke biseduar në mënyrë miqësore gjatë darkës, Shipioni e pyeti Hanibalin se kush mendonte se ishte gjenerali më i madh i të gjitha kohërave. Hanibali renditi të parin Aleksandrin e Madh, pasuar nga Pirro i Epirit dhe të tretin renditi Shipionin.
Tek e fundit kjo është një anekdotë që sado magjepsëse, nuk ndikoi në rrjedhën e historisë në ndonjë mënyrë të dukshme ose domethënëse. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për incidente të tjera “të rastësishme” që ndodhën në të kaluarën, siç është rasti i pushtimit të dështuar të Tajvanit nga Partia Komuniste e Kinës.
Si e shpëtuan kërmijtë Tajvanin
Gjatë Luftës Civile Kineze, e cila zgjati nga viti 1927 deri në vitin 1950, dhe u zhvillua midis komunistëve dhe nacionalistëve, gati 2 milionë njerëz që i përkisnin fraksionit të fundit u zhvendosën në Tajvan. Më të shumtë në numër sesa armiku i tyre pothuajse i mundur, komunistët nuk humbën kohë dhe nisën përgatitjen për një sulm amfib ndaj ishullit aty pranë.
Për t’u përgatitur për zbarkimin, 30.000-50.000 ushtarë komunistë kaluan javë të tëra duke u stërvitur në kanalet jugore të Zhejiangut dhe në veri të Fujianit. Por pa dijeninë e tyre, këto kanale ishin të mbushur me kërmij që mbartnin një virus që kur i infekton njerëzit, shkaktonte ethe, kollitje të fortë, dhimbje muskujsh dhe urinim të përgjakur, mes disa simptomave të tjera.
Brenda natës, forcat pushtuese komuniste dolën jashtë kontrollit. Kur mbërritën ilaçet nëpërmjet rrjeteve tregtare të dëmtuara rëndë të vendit, Ngushtica e Tajvanit nisi të ruhej nga luftanijet amerikane, duke hedhur në erë çdo plan për një pushtim të ardhshëm. Në këtë mënyrë kërmijtë, dhe më gjerësisht rastësia diktuan panoramën gjeopolitike ku jetojmë sot.
Ligjet e veprimit njerëzor
Ngjarje të tilla vënë në dyshim konceptin se historia shpaloset sipas parimeve të vazhdueshme dhe të vëzhgueshme. Ky nocion, i lidhur ngushtë me besimin dhe fenë është po aq i vjetër sa vetë njerëzimi, dhe u bë shumë popullor gjatë Iluminizmit.
Kur shkencëtarë si Isak Njutoni mësuan se kozmosi u bindej disa ligjeve të fizikës, historianët filluan të kërkonin ligjet e tyre. Besimi tek këto ligje, i parapriu dëshmive bindëse për ekzistencën e tyre. “Ndryshimet e mëdha, duket se kanë ndodhur me njëfarë pashmangshmërie. Duket se ka pasur një prirje të pavarur ngjarjesh, një domosdoshmëri e paepur që e kontrollon përparimin e punëve njerëzore…”- shkroi Eduard P. Çeni në vitin 1927, në një nga esetë e tij të shumta.
Studiues të tjerë kanë përdorur fjalë të ndryshme për të përshkruar të njëjtën ide. Megjithatë as historia, as sociologjia dhe as ekonomia, nuk kanë arritur ende të ofrojnë një teori të vetme, mbizotëruese, të pakundërshtueshme të zhvillimit njerëzor.
Për shkak të këtij dështimi, nuk mund të mos pyesim veten pse kemi një kuptim rudimentar të diçkaje si Big Bangu, ndërsa mekanika e historisë vazhdon që të debatohet kaq shumë. Duke reflektuar mbi marrëdhëniet midis historisë dhe kozmologjisë, gjeologu Uollter Alvarez argumenton se jeta është në thelb e paparashikueshme. “Pamja e agjentëve të gjallë e çoi planetin tonë përtej sferës së fazave, për të cilat fizikanët mund të zbulojnë ligjet natyrore – plazmat, gazet, lëngjet dhe trupat e ngurtë – duke sjellë materien e organizuar në mënyra shumë më komplekse”- thekson ai.
Historia sipas numrave
Ashtu siç ligjet e fizikës që shprehen nëpërmjet matematikës, edhe të dhënat e papërpunuara mund të përmirësojnë kuptueshmërinë tonë mbi të kaluarën. Udhëheqës i kësaj qasje ndaj historisë – i njohur në qarqet akademike si Kliodinamika, pas muzës greke të historisë Klio – është Peter Turçin, studiues ruso-amerikan që është kryeredaktor i “The Journal of Quantitative History and Cultural Evolution”.
Në vend se të studionte burimet primare, Turçin dhe ekipi i tij punojnë me bazat e të dhënave historike si “Seshat: Global History Databank”, një burim që përmban të dhëna numerike për më shumë se 400 shoqëri. Turçini e përdor këtë informacion, që përfshin çdo gjë nga madhësia e popullsisë deri te prodhimi industrial vjetor, për të kërkuar modele në rrjedhën komplekse të zhvillimit njerëzor.
Duke u mbështetur kryesisht tek llogaritjet matematikore, Turçini mund të prodhojë prova më bindëse sesa historianët e zakonshëm. Për shembull, një nga studimet e tij identifikoi madhësinë e popullsisë dhe teknologjinë para-ekzistuese si faktorët më të rëndësishëm për risinë e teknologjisë ushtarake.
Një tjetër studim nxori në pah se lufta, dhe sidomos forcat kalorsiake dhe armët prej hekuri, u dhanë mundësinë shoqërive të bëheshin më komplekse. Duke i bërë jehonë pozitivizmit shkencor dhe zellit fetar të Çenit, Kliodinamika sugjeron se vazhdimësia historike e tejkalon tej mase gjendjen e jashtëzakonshme historike.
Megjithatë, projektet e tij edhe pse ambicioze dhe magjepsëse, kanë hasur në skepticizëm. Zakonisht, ky skepticizëm ka të bëjë me bazën e të dhënave, të cilat ashtu si vetë e kaluara mund të jenë më të rastësishme sesa mendojmë ne. / “Big Think” – Bota.al