Presidenti i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino, i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të mbajnë një armëpushim njëmujor gjatë Kupës së Botës.
Duke folur në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, Infantino tha se Kupa e Botës siguron një “platformë unike” për paqe dhe unitet, sepse ngjarja do të ndiqet nga rreth 5 miliardë njerëz në televizion.
“Kështu që lutja ime për të gjithë ju është që të mbani armëpushim për një muaj, aq sa zgjat Kupa e Botës”, tha Infantino në Bali të Indonezisë.
“Ju jeni liderët botërorë, keni aftësinë të ndikoni në rrjedhën e historisë. Futbolli dhe Kupa e Botës po ju ofrojnë juve dhe botës një platformë unike uniteti dhe paqeje në të gjithë botën”, thas ai.
Kupa e Botës zhvillohet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor në Katar.
Rusia arriti në çerekfinalet e Kupës së Botës së fundit në 2018, por është përjashtuar nga ky turne për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ukraina iu afrua kualifikimit për Katarin, por humbi nga Uellsi në një play-off vendimtar në qershor.
Në Katar do të garojnë 32 skuadra, nga ish-fituesit Brazili, Gjermania, Argjentina, Franca dhe Spanja e deri te Japonia, Senegali, Kosta Rika dhe Arabia Saudite, me 64 ndeshje në total.