Një komandant rus, mik i afërt i presidentit të Rusisë Vladimir Putin është gjetur i vrarë me armë zjarri në zyrën e tij.
Koloneli Vadim Bojko, 44 vjeç, i cili kishte qenë i përfshirë në fushatën e mobilizimit të rekrutëve, thuhet se kishte “plagosje të shumta nga plumbat”.
Mediat e huaja shkruajnë se, ai ishte nënkryetar i shkollës prestigjioze Makarov të Paqësorit të Lartë Detar në Vladivostok.
Mësohet se sapo koloneli ka hyrë në zyrën e tij janë dëgjuar pesë të shtëna.
Një oficer tjetër sapo dëgjoi të shtënat, shkoi menjëherë në vendngjarje por e gjeti të vdekur.
Fillimisht mediat ruse raportuan se ishte vetëvrasje, por për hetuesit ishte i dyshimtë fakti se si koloneli mund të kishte qëlluar veten pesë herë në gjoks.
Ndërkohë, asnjë shënim vetëvrasjeje nuk u gjet në zyrën e tij, ndërsa hetuesit gjetën pesë gëzhoja dhe katër pistoleta Makarov pranë trupit të pajetë të kolonelit.
Bojko, baba i dy fëmijëve, u raportua gjithashtu se ishte përgjegjës për armatimet dhe municionet në akademinë elitare.