Tre vite pas fatkeqësisë natyrore që u shndërrua në një tragjedi me viktima të shumta për Durrësin dhe vendin, pikërisht aty ku ngriheshin objektet që u shembën nuk ka asnjë shenjë për të nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën në atë fatkeqësi.
Familjarë kanë vendosur lule aty ku dikur ngriheshin banesat që morën jetë njerëzish. Hapësirat boshe në to janë një kujtesë e trishtë, po dhe një ftesë për të mos harruar pasojat dhe shkaqet jo thjesht natyrore të tragjedisë.
Pallatet me dëme të nivelit DS1-DS3 pothuajse janë riparuar, por ato të dëmtuara rëndë janë në pritje. Afro 2900 familje trajtohen ende me bonus qiraje nga bashkia e Durrësit. Ende ka familje të dëmtuara nga tërmeti që jetojnë në kontenierë. Problematikat e rindërtimit përplasen shpesh në dyert e bashkisë me protesta qytetarësh që kërkojnë transparencë dhe strehim, ndërsa në Spitallë vijon ndërtimi i lagjes së re me 85 pallate të reja që pritet të përfundojnë pranverën e ardhshme.
Tre vjet pas tërmetit gjimnazet kryesore të qytetit nuk kanë nisur ende të rindërtohen dhe mijëra nxënës e zhvillojnë mësimin me turne.
Me plagë ende të hapura nga tërmeti Durrësi pret rimëkëmbjen e plotë, ndërsa familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.