Sipas CNN, pas refuzimit të lojtarëve iranianë për të kënduar himnin kombëtar të kombit në ndeshjen e tyre hapëse kundër Anglisë më 21 nëntor, lojtarët u thirrën në një takim me anëtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane.
Sipas burimeve të medias, lojtarëve iu ishte thënë se familjet e tyre do të përballeshin me “dhunën dhe torturën” nëse nuk këndonin himnin kombëtar ose nëse i bashkoheshin ndonjë proteste politike kundër regjimit të Teheranit.
Lojtarët kënduan himnin para ndeshjes së tyre të dytë kundër Uellsit të premten e kaluar, e cila u mbyll me fitore 2-0 për Iranin.
Po ashtu, bëhet me dije se, Carlos Queiroz, trajneri portugez i ekipit kombëtar të Iranit, u takua veçmas me oficerët e Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane, pas kërcënimeve të tyre ndaj lojtarëve iranianë dhe familjeve të tyre, por ende nuk dihet se për çfarë u diskutua.
Irani dhe SHBA-të luajnë me njëri-tjetrin këtë të martë në një ndeshje vendimtare të Grupit B.
Irani po shfaqet në këtë Botëror nën hijen e trazirave të brendshme. Shefi i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, ka thënë se vendi është në një “krizë të plotë të të drejtave të njeriut” ndërsa autoritetet shtypin disidentët kundër regjimit.
Protestat, të referuara nga ekspertët si më të rëndësishmet që nga vendosja e sundimit klerik pas Revolucionit iranian të vitit 1979, kanë tronditur Iranin muajt e fundit dhe kanë kërcënuar regjimin e vendit, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se 40 vjet.
Lëvizja u nxit nga vdekja e Mahsa Amini, një gruaje 22-vjeçare e cila vdiq pasi u ndalua nga policia morale e Iranit, për mos respektim të kodit konservator të veshjes së vendit. Forcat iraniane të sigurisë kanë lëshuar një reagim të dhunshëm.
Të dielën, media shtetërore e Iranit bëri thirrje që SHBA të përjashtohet nga Kupa e Botës 2022 pasi Federata e Futbollit e Shteteve të Bashkuara ndryshoi flamurin e Iranit në platformat e saj të mediave sociale për të treguar mbështetje për protestuesit në Iran.
Federata kishte shfaqur përkohësisht flamurin kombëtar të Iranit në llogaritë e saj zyrtare në Twitter, Instagram dhe Facebook pa emblemën e Republikës Islamike. Një grafik tashmë i fshirë i renditjes së Grupit B, i postuar të shtunën, shfaqte flamurin iranian vetëm me ngjyrat e tij jeshile, të bardhë dhe të kuqe.
US Soccer i tha CNN të dielën se donte të ndryshonte flamurin zyrtar për 24 orë për të treguar “mbështetje për gratë në Iran që luftojnë për të drejtat themelore të njeriut”, por gjithmonë planifikoi të kthehej në flamurin origjinal.