AlternAtivA: Lufta kundër korrupsionit është beteja jonë më e rëndësishme

Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, AlternAtivA edhe
një herë e riafirmon përcaktimin e saj programor politik se kjo është
beteja më e rëndë dhe më e rëndësishme e shtetit dhe shoqërisë sonë.
Sipas të gjitha indikacioneve dhe matjeve, korrupsioni cilësohet si
problemi më i madh pas mirëqenies ekonomike. Qytetarët tashmë e kanë të
qartë se shteti me korrupsion nuk ka asnjë mundësi as për perspektivë
ekonomike, andaj sa herë që flasim për mungesë të vendeve të punës, të
rrogave të pamjaftueshme dhe të standardit të ulët te jetesës,
përgjigjja është te korrupsioni i lartë.
Kjo ka qenë arsyeja që AlternAtivA ta ngrejë këtë temë në nivelin më të
lartë, duke propozuar një amendament kushtetues që në kushtetutën e
Republikës së Maqedonisë së Veriut të sanksionohet se lëndët e
korrupsionit politik të mos mund të vjetrohen asnjëherë. Për këtë qëllim
ne deri tash kemi realizuar disa takime me diplomatë të vendeve mike të
shtetit tonë, të cilët kanë dhënë mbështetje për këtë nismë të
Alternativës, ndërsa vula e krejt kësaj ka qenë informacioni i Ambasadës
së Shteteve të Bashkuara të Amerikës se së shpejti në vendin tonë do të
vijë një grup ekspertësh amerikanë që do të merren pikërisht me këtë
çështje. Kjo na ka inkurajuar se kemi bërë hapin e duhur dhe se agjenda
jonë politike, përveçse në interes të qytetarëve, është edhe në
përputhje me pritjet dhe nxitjet e aleatëve tanë ndërkombëtarë. Zaten,
një vend që aspiron drejt Bashkimit Europian nuk ka mundësi ta bëjë këtë
rrugë pa i herrë këto pengesa.
Nisur nga kjo, duke e shfrytëzuar këtë ditë të shënuar të luftës kundër
korrupsionit, ju njoftojmë se si zëdhënëse politike e kësaj teme,
Alternativa ditëve në vijim do të realizojë disa takime me disa drejtues
të partive politike në vend për ta kërkuar edhe mbështetjen e tyre për
këtë propozim-amendament kushtetues, gjithnjë duke shpresuar se kjo
është një brengë e përbashkët e të gjitha forcave politike që ia duan të
mirën dhe perspektivën këtij vendi.

Marketing