Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Europian, Josep Borrell me anë të një postimi në Twitter ka reaguar pas sulmeve me shok-bombë ndaj EULEX’it mbrëmë në Zveçan.
Ai ka thënë se barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës dhe të rivendoset qetësia në komunat veriore të Kosovës.
Tutje, Borrell ka bërë me dije se të gjithë aktorët duhet të shmangin përshkallëzimin e situatës.
”BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it ose përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinohet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet të shmangin përshkallëzimin”, ka shkruar kryediplomati europian.
Rreth sulmeve me shok-bombë ndaj EULEX’it më herët reagoi edhe ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Ai tha se sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtarë të sigurisë janë të papranueshme.
Në anën tjetër, EULEX’i përmes një komunikate për media konfirmoi se mbrëmë ka ndodhur një sulm me bombë çorientuese (shok-bombë) ndaj një patrulle të tyre në Veri të Kosovës.
Ndërkaq, siç u bë e ditur asnjë zyrtar i Njësisë Speciale të EULEX’it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.