Zëdhënësja e NATO’s, Oana Lungescu, përmes një postimi në Twitter ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm me shok-bombë ndaj një patrulle të EULEX’it në veri të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Ajo ka thënë se e dënojnë fuqishëm sulmin me shok-bombë, ndërsa ka shtuar se çdo sulm i tillë është i papranueshëm.
“Ne bashkohemi me Aleatët e NATO-s dhe BE-në për të dënuar fuqishëm sulmin me granatë ndaj një patrulle të EULEX-it mbrëmë. Çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar ajo.
Rreth sulmit me shok-bombë ndaj EULEX’it kanë reaguar edhe kryediplomati europian, Josep Borrell dhe ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Në anën tjetër, EULEX’i përmes një komunikate për media konfirmoi se mbrëmë ka ndodhur një sulm me bombë çorientuese (shok-bombë) ndaj një patrulle të tyre në Veri të Kosovës.
Ndërkaq, siç u bë e ditur asnjë zyrtar i Njësisë Speciale të EULEX’it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.