Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj sulmeve në veri ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
Rama tha se këto sulme janë të dënueshme derisa barrikadat e ngritura në veri theksoi se bien ndesh me ligjin dhe frymën e dialogut, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Sulmet mbi EULEX janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!”
Rama tha se shtyrja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme shërben si sinjal për Serbinë që të mos përshkallëzojë situatën.
“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!”
Kryeministri shqiptar i bëri thirrje BE’së që në mënyrë urgjente ta thërrasë tryezën e dialogut.
“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.”