Përballja me sfidat gjeopolitike në rajon, si dhe mbështetja e vazhdueshme amerikane për procesin e integrimit tonë evropian, ishin temë e bisedës në takimin e sotëm të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ambasadores së SHBA-së, Angela Aggeler.
Siç informojnë nga MPJ, në fokus të bisedimeve ishin projektet, aktivitetet dhe qëllimet e Dialogut Strategjik në mes të SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut i cili u mbajt në qershor të këtij viti në Uashington. Osmani informoi për Planin e veprimit, të përgatitur nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme përmes të cilit Qeveria do ta ndjek implementimin e projekteve dhe rezultateve nga Dialogu Strategjik në mes dy vendeve.
“Sipas prioriteteve të përcaktuar tashmë, fusha e parë e bashkëpunimit të intensifikuar në kuadër të Planit të Veprimit është sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, me çka do të forcohet bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe përkrahja e SHBA-së në këtë fushë”, deklaroi Osmani, duke theksuar se pret që Qeveria së shpejti ta miratojë Planin e Veprimit dhe të fillojë zbatimin e tij.
Reklama
Në takim u diskutua edhe për prioritetet e tjera në kuadër të Dialogut Strategjik siç është kryesimi me OSBE-në në vitin 2023, kryesimin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut me SHBA-Karta e Adriatikut, aleancën në NATO, përballjen me sfidat gjeopolitike në rajon, si dhe mbështetjen e vazhdueshme amerikane për procesin e integrimit tonë evropian.