Shefi i Diplomacisë Evropiane, Joseph Borrell ka deklaruar se u ka bërë kërkesë shteteve anëtare që EULEX-in ta përforcojnë me trupa shtesë nëse është e nevojshme dhe kjo ka hasur në mirëkuptim nga ta.
“Që nga gushti, jemi në një rreth vicioz të konfrontimeve, provokimeve dhe reagimeve, që kanë përshkallëzuar në ditët e fundit, dhe kanë provokuar incidente serioze të sigurisë, përfshirë edhe një sulm ndaj misionit tonë, EULEX-it dhe ndaj Policisë së Kosovës. Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur nëpër rrugë, nuk është diçka që jemi të gatshëm ta pranojmë, nuk pranojmë këtë nga partnerët tanë, që po aspirojnë një të ardhme evropiane. Kjo situatë duhet të mbarojë e barrikadat duhet të largohen. Qetësia duhet të kthehet. Këshilli qartë u ka bërë thirrje të dyja palëve për qetësi dhe frenim nga veprimet e dhunshme e provokative. I kam kërkuar shteteve anëtare që të jenë të gatshme të dërgojnë më tepër njësite në misionin tonë të EULEX-it. E shumë nga to janë pajtuar e kanë shprehur gatishmëri për të rritur kapacitetet nëse është e nevojshme”, ka thënë Borrell.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia kanë deklaruar se janë të gatshme për depërshkallëzimin e situatës, teksa shprehet optimist se kjo do të ndodhë kjo.
Kurse, për propozimin franko-gjerman, Borrell thotë se e ka përkrahjen e fortë të 27 shteteve anëtare të BE-së.
“Palët duhet të kthehen në dialog. Është një detyrë që BE-ja e ka marrë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe po ashtu unë si lehtësues. Kjo është esenciale për të dyja palët në rrugët evropiane. Pas incidenteve në verë ne kemi vendosur një propozim për dy liderët, e kemi përditësuar atë javët e fundit, pas marrëveshjes së fundit që e arritëm për targat, e që shpresonim se me të evituam tensionet. Ne e kemi ofruar atë propozim dhe duhet ta shtyjmë para urgjentisht. Jam i lumtur që kemi marrë përkrahjen e fortë të të gjithë ministrave për këtë iniciativë. Tash është propozim i 27 shteteve të BE-së”, ka thënë Borrell.
Po ashtu, ai bëri të ditur se emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak do të udhëtojë të mërkurën për vizitë në dy shtetet për të tentuar ta qetësojë situatën.