Komuna e Tetovës do të organizojë referendum për largimin e kazinove dhe bastoreve sportive nga qyteti. Ky ishte konkluzioni i debatit të organizuar nga Lëvizja Anti-bixhoz, pas heqjes së ligjit nga procedura parlamentare.
“Ne sot do të japim sfidën e radhës, referendumin gjithë popullor, i cili do të mbështetet dhe argumentohet, me çka nga ky debat do nxirren edhe konkluzat me të cilat do të obligohet këshilli komunal, që bashkë të zgjedhim çështjen e lojërave të fatit. Pra, do ta obligojmë këshillin komunal që me çdo kusht ta heqim këtë problem të kamotshëm.”, – u shpreh Xhemal Abdiu nga Lëvizja Antibixhoz.
“Jemi në konsultim me ekspertët e çështjes që të gjejmë bazë ligjore që komuna të organizojë referendum.”- theksoi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Profesori Bashkim Selmani përkujton se refendumi nuk do të ketë ndikim në Ligj, por të paktën do të tregon qëndrimin e banorëve të Tetovës sa i përket lojërave të fatit.
“Komuna është e detyruar që të marrë mendimin e qytetarëve, të shfaqë referendum, me të cilën do ta detyronte komuna dhe t’i jepte ingerencat e caktuara, me të cilën ajo do të preventoj ose do të minimizoj nga kjo fatkeqësi bashkëkohore.”, – u shpreh Bashkim Selmani, profesor universitar.
Për ta bërë funksionimin më të rëndë të lojërave të fatit në territorin e saj, komuna e Tetovës ka paralajmëruar dhjetëfishimin e çmimeve për reklamat e tyre që sado pak të ndalojë hapjen e bastoreve të reja.