Ngjarje makabre në Brazil: Babai vret 4 fëmijët e tij për motivin më absurd

Një ngjarje makabre ka tronditur Brazilin dhe ka bërë bujë në mediet e gjithë globit. Babai 28-vjeçar ka vrarë katër fëmijët e tij duke i mbytur me jastëk dhe i vrarë me thikë për motivin më absurd në botë, si hakmarrje për ish-gruan dhe nënën e fëmijëve të tij.

Marketing

Fëmijët e moshës 3, 6, 8 dhe 11 vjeç u gjetën të vdekur në shtëpinë e David da Silva Lemos në Alvorada në Brazilin jugor. Policia e arrestoi autorin dhe i mori edhe dëshminë, ku tha se i kishte dhënë çaj qetësues fëmijëve, përpara se t’i mbyste me jastëk dhe t’i godiste për vdekje me thikë, shkruajnë mediat e huaja.

Familjarët gjetën fëmijët të pajetë me plagë thike. Autori ka refuzuar të tregojë arsyen e këtij veprimi të rëndë, por gjyshja nga nëna e fëmijëve është shprehur se ai e ka bërë këtë për t’u hakmarrë ndaj ish-gruas, e cila ishte larguar së fundmi nga shtëpia, pas dhunës së ushtruar nga ai.

“Ai kishte sulmuar fizikisht vajzën time. Marrëdhënia e tyre mbaroi përgjithmonë, por ai e bëri këtë për të bërë të vuajë vajzën time, jam e sigurt për këtë. Zgjodhi ta bëjë në mënyrën më të keqe të mundshme. Ai është një frikacak”, tha ajo për mediat lokale.

Nëna e fëmijëve kishte edhe një urdhër mbrojtjeje të lëshuar nga policia, që e ndalonte t’i afrohej asaj. Policia po heton në disa pista, teksa celulari i autorit do të jetë një element kyç i hetimeve, pasi mund të zbulohen detaje të rëndësishme në lidhje me veprimet e tij para dhe pas ngjarjes.

Çifti ishin bashkë prej 12 vitesh, por u ndanë për shkak të dhunës që David Lemos kishte ushtruar ndaj gruas së tij 24-vjeçare. Familjarët thanë për mediat se momentalisht fëmijët jetonin me babain vrasës dhe pas disa ditësh do të bashkoheshin me nënën e tyre.