Rada Trajkoviqit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe është transportuar në Prokuple të Serbisë, bëri të ditur e bija e saj, përmes një postimi në Twitter.
Trajkoviq, këshilltarja e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, kishte thënë më herët gjatë të premtes se Policia e Serbisë po e lejonte që të hyjë në Serbi.
“Mami sapo është transferuar me autoambulancë në Prokuple, pasi shëndeti i saj u përkeqësua papritur. Kontrollet treguan se ka shenja të hershme të pneumonisë”, thuhet në postimin në llogarinë në Twitter të Rada Trajkoviqit.
Trajkoviq më herët gjatë të premtes kishte njoftuar se autoritetet kufitare, për “11 orë” e kanë ndaluar që të hyjë në Serbi, duke mos i dhënë shpejgim, dhe duke ia konfiskuar dokumtetet.
Ajo fillimisht ishte ndaluar në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, më 15 dhjetor, kur ka tentuar të hyjë në Kosovë, dhe sërish pasi ka tentuar të largohet nga ky shtet.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk është deklaruar lidhur me këtë rast, dhe as nuk u përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë pse ishte ndaluar Trajkoviq, e cila shpesh kritikon politikat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Më herët, ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, është shprehur i shqetësuar për gjendjen e këshilltares së tij.
Ministri Rashiq ka thënë në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës se Trajkoviq është me diabet dhe duhet të ketë trajtim të duhur për këtë sëmundje.
Ai ka bërë thirrje që autoritetet në Kosovë të njoftojnë shtetet e QUINT-it për këtë situatë.
Shtetet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i vjen keq për diçka të tillë dhe ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme është e angazhuar në këtë drejtim.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se është duke komunikuar me Zyrën e Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve të QUINT-it, dhe se beson që Trajkoviq do të mund të udhëtojë brenda një kohe të shkurtër.
Ditë më parë, Trajkoviq ka thënë se, përveç kërcënimeve ndaj saj për përfshirjen politike në Qeverinë e Kosovës, kërcënime kanë nisur të kenë edhe fëmijët e saj.
Më 15 dhjetor, Trajkoviq është takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Pas takimit, Hovenier ka thënë se kërcënimet dhe frikësimet për shkak të qëndrimeve politike, janë të papranueshme në shoqëritë e lira dhe demokratike.
Përndryshe Rashiq është emëruar ministër pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – janë larguar nga institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Emërimi i Rashiqit dhe Trajkoviqit është kritikuar nga Beogradi zyrtar./rel