Kërcënimet me bomba në Dellçevë, arrestohet një 63 vjeçar nga Tetova

Zbardhet rasti për paralajmërimin e bombave të rrejshme në qytetin e Dellçevës. Sipas MPB-së, 63 vjeçari nga Tetova, nga celulari i tij me identifikim të rrejshëm është paraqitur në stacionin policor të Dellçevës dhe ka raportuar për vendosjen e bombave në shumë lokacione të këtij qyteti. Pas inspektimit të objekteve të kërcënuara, shërbimet policore nuk kanë gjetur mjete të dyshimta. Organet e brendshme njoftojnë se është zhvilluar gjatë bisedës dëgjimore dhe kundër të dyshuarit me iniciale S.GJ është proceduar kallëzim penal.

Marketing

“Kuptohet menjëherë janë marrë masa për gjetjen e kryerësit, respektivisht për raportuesin dhe pas masave të ndërmarra, personi është izoluar dhe është dërguar në stacionin policor. Atij i është marrë edhe celulari me të cilën është kryer vepra dhe kuptohet është parashtruar kallëzim penal deri tek prokurori kompetent. Që kur kanë filluar këto paralajmërime kohëve të fundit, ky është personi i tretë i arrestuar dhe kuptohet, ne punojmë për gjetjen e personave të tjerë që dërgojnë mesazhe për paralajmërime të rrjeshme me bomba.”, – theksoi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.

Sipas organeve të brendshme, i dyshuari për këtë rast do të përgjigjet për vepër penale “terrorizëm”, ndërkaq ligji parashikon dënim me më së paku 8 vjet burg, për shkak të kanosjes për shpërthim dhe shkatërrim të objekteve publike. Porositë me kërcënimet për bomba, sipas MPB-së më së shumti vijnë nga adresat elektronike të huaja.